11 nëntor 2015 – Markat e njohura të modës pagëzojnë produktin e tyre me emrin e një personazhi konkret, i cili i frymëzon nga eleganca, klasi ose bukuria, por ndodh të ketë edhe përjashtime.
Një personazh që historia shqiptare e përmend shpesh si të paditur, të prapambetur dhe si tradhtar, Esat Pashë Toptanin, iu kushtua një parfum, nga shtëpia më e famshme e modës “Chanel”.
Detajet e hollësishme për këtë sillen në librin më të fundit të gazetarit Roland Qafoku.
Në kapitullin për Esat Pashë Toptanin, kryeministër i Shqipërisë nga viti 1914 deri në vitin 1916, ai tregon për jetën e shthurur, luksoze, që nisi të bënte sapo shkeli në Paris në vitin 1919. Ai me pasurinë e madhe që zotëronte, jetonte në kushte përrallore, merrte pjesë nëpër takime e ballo në sallonet mondane dhe kishte edhe një mantenutë 22-vjeçare. Kujtojmë që në atë kohë Esat Pasha ishte 58 vjeç.
Dhe ka pasur edhe një tjetër sekret. Një formulë parfumi të trashëguar nga princi i Skënderbeut, Karl Topia, paraardhës i Esatit. Kjo formulë me bazë lulesh dhe bimësh kishte efekt mahnitës dhe Esat Pasha arriti që ajo të kthehej në një parfum nga shtëpitë më në zë të modës në atë kohë dhe sot, themeluar nga Coco Chanel. Ishte meritë e tij që e kishte ruajtur, por edhe fat që ia kishte treguar kombinimin, komandantit të Shtabit të Forcave Aleate në Lindje që kjo aromë shekullore u kthye në një parfum me emrin Esat Pasha.
Ndoshta për shtëpinë e modës, Esati nuk ishte figura me karakteristikat që e përshkruan historia shqiptare, por ishte më shumë personazhi ekzotik nga Shqipëria, me gradë gjenerali, ish-kryeministër, trashëgimtar gjenesh fisnike dhe zotërues i një pasurie mikluese.
Flakoni mbajti emrin “Parfum d’Essad Pacha” dhe vazhdon të prodhohet nga shtëpia e modës me kërkesa ekskluzive. Një prej nuseve të kësaj dere, i ka ardhur para pak vitesh dhuratë nga Parisi, pikërisht ky parfum. Nëse nuk doni të mendoni për figurën që i ka dhënë emrin, mendoni për atë që i ka dhënë formulën.
/portali DurresLajm/