ANGLI, 23 shkurt 2013 – Është cilësuar vrasësja seriale më madhe e të gjitha kohërave në Britaninë e madhe. Bëhet fjalë për një grua, Amelia Dyer, e cila quhej ndryshe dhe 'Maker Angel'. Mbi të rëndojnë akuzat për vrasjen e rreth 400 fëmijëve në harkun kohor të 30 viteve. Dyer bindte nënat e reja të pamartuara dhe pa të ardhura që t’ia besonin fëmijët e tyre asaj, pasi, përmes adoptimeve, do t’u siguronte atyre një jetë më të mirë. Por në të vërtetë të vegjlit i priste vdekja, pasi Amelia i mbyste me shirita që përdoreshin nga rrobaqepëset e më pas trupat e tyre i hidhte në ujërat e lumit Tamiz.
Vrasësja seriale, që e ushtroi aktivitetin e saj në shekullin e 19-të në Britani nuk ngjalli dyshime për një kohë të gjatë. Veprimtaria e saj kriminale doli edhe njëherë në dritë kur u hodhën në sistemin online 2.5 milion çështje gjyqësore të viteve 1770 – 1934. Megjithëse në Britaninë e madhe kanë jetuar shumë serial killer, Amelia Dyer i lë prapa të gjithë me numrin e frikshëm të krimeve që rëndojnë mbi të.
Ndërsa në fillim ajo kishte hapur një shtëpi, ku priste nënat shtatzënë të lindnin dhe pastaj t’ia besonin fëmijët e tyre, më vonë ajo reklamonte në gazetë faktin që u siguronte përmes adoptimeve një jetë më të mirë fëmijëve.
Dyer u dënua me varje dhe u ekzekutua në Newgate Gaol, në Londër në 1896. Nuk dihet numri i saktë i fëmijëve që ajo ka vrarë gjatë 30 viteve, por disa dëshmitarë në gjyq treguan se kishin parë 6 fëmijë të hynin brenda një dite në shtëpinë e saj. Ndërsa disa të tjerë dëshmuan se vetëm dy muajt e fundit para arrestimit në shtëpinë e saj kishin hyrë 20 fëmijë.
Kur ajo u arrestua policia nisi një kërkim të zgjeruar në lumin Tamiz dhe siç mësohet nga dëshmitë e asaj kohe, Dyer u kishte thënë hetuesve se do mund t’i gjenin fëmijët e vrarë nga ajo përmes shirit që kishin në qafë. Rreth 50 fëmijë të mbytur u gjetën në atë kohë në shtratin e lumit Tamiz.
Kur u dënua me varje në vitin 1896 Amelia Dyer ishte 58 vjeç.
/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/