Nga Mila Ballhysa
7 djem të rinj nga Durrësi janë shpallur kampionë në kampionatin Gladiator V Championship, të zhvilluar në kryeqytet në datën 22 shkurt.
Ekipi i Ndeshjeve të Lira (MMA) Teuta MMA arriti të renditej i pari mes 8 ekipeve në garë.
Megjithëse i krijuar vetëm 1 vit e 4 muaj më parë, 7 djemtë e rinj nga Durrësi arritën të triumfonin para rivalëve nga ekipet e tjera, duke u shpallur më të mirët e kampionatit.
Teuta MMA u përfaqësua në këtë kampionat nga djemtë Denis Kapllani, Enis Ajdini, Franko Turku, Elton Dynisha, Enis Kurdiu, Nazif Bahiti dhe Marçelino Turku, ndërsa trajneri i ekipit është Almarin Kulla.
Sipas zotit Kulla, ekipi po përgatitej për rreth 2 muaj me rradhë mjaft seriozisht për këtë kampionat dhe rezultatet shpërblyen më së miri angazhimin e të gjithëve.
“Të mendosh që ekipi jonë sot që flasim është 1 vjeç e 4 muaj dhe arriti të mposhtë ekipe që janë krijuar që në vitin 2012, kur u themelua Federata Shqiptare e Ndeshjeve të Lira (MMA) është një gjë që flet shumë për angazhimin maksimal të të gjithëve. Ne bëmë të pamundurën që titullin Gladiator ta sjellim në qytetin më të vjetër të Shqipërisë, në qytetin që ka pasur GLADIATOR që në kohën e Ilirëve të mbretit Agron dhe Mbretëreshës Teutë” thotë trajneri Kulla.
Më tej ai vijon duke thënë se “sportistët e ekipit ishin në super formë. Strategjia ime ishte 7 sportistë, 7 kampionë. Realisht këta djem janë të gjithë kampionë”.
Duke qenë se është krijuar vetëm pak kohë më parë, titujt kombëtarë dhe ndërkombëtarë të fituar nga Teuta MMA flasin për një impenjim dhe seriozitet në punën e të gjithë ekipit.
Në të gjitha ndeshjet djemtë durrsakë kanë treguar shpirt gare dhe kanë arritur të dominojnë mbi kundërshtarët në këtë disiplinë të re sportive që konsiston në një ndërthurje të arteve marciale.
Gjatë deklaratës së tij, trajneri Kulla nuk harron të falenderojë edhe shefin e klubit shumësportësh Teuta, z,Kreshnik Leka dhe kreun e Federatës, presidentin Arjan Rizaj, i cili është angazhuar personalisht në ngritjen e nivelit të këtij sporti, që është një disiplinë e re në vendin tonë dhe jo shumë e njohur.
Në të njëjtën kohë, Kulla ka një falenderim të veçantë për familjet e këtyre djemve durrsakë, për mbështetjen e vazhdueshme që ata kanë dhënë si dhe për të gjithë dashamirësit e këtij sporti, që kanë ndjekur nga afër sukseset e këtyre djemve të rinj, që premtojnë shumë për të ardhmen.