Cristiano Ronaldo dhe José Mourinho janë më të pasurit e futbollit botëror. Sipas klasifikimit të publikuar nga France Football, mes pagesës, shpërblimeve dhe të ardhurave nga reklamat, gjatë sezonit 2016-2017 ylli i Realit të Madridit ka përfituar plot 87,5 milionë euro. Në vendin e dytë pozicionohet Lionel Messi në kuotën e 76,5 milionë eurove, ndërsa i treti është braziliani Neymar, në kuotën 55,5 milionë euro. Mes pesë futbollistëve më të paguar në botë janë edhe sulmuesi uellsian i Realit të Madridit, Gareth Bale me 41 milionë euro dhe ish-sulmuesi Napoli e PSG, Ezequiel Lavezzi, që nga kinezët e Hebei Fortune përfiton një çek me vlerë 28,5 milionë euro.
Renditja e më të paguarve për trajnerë kryesohet nga Jose Mourinho. “Special One” përfiton plot 28 milionë euro dhe lë pas Marcello Lippin, që nga aventura në krye të stolit të përfaqësueses kineze shtoi në llogarinë bankare 23,5 milionë, ndërsa Laurent Blanc pozicionohet i treti me 20 milionë euro të ardhura.Në vendin e katërt ndodhet trajneri i Bayern Munchen, Carlo Ancelotti me 15,8 milionë euro përfitime, ndërsa Pep Guardiola është vetëm i pesti me 14,5 milionë euro të ardhura.Revista e njohur franceze ka publikuar edhe përfitimet e futbollistëve të Ligue 1. Më i paguari në elitën e futbollit francez është Thiago Silva me 14,4 milionë euro, që ndiqet nga Radamel Falcao me 13,6 milionë, Angel Di Maria (12,6 mln) dhe nga Marco Verratti me 11,8 milionë euro. Top 5 mbyllet nga sulmuesi i Paris Saint Germain, Edinson Cavani që përfiton 10,2 milionë euro.