Në vend të parë janë organizatat ndërkombëtare, të cilat rezultojnë se i paguajnë më shumë punonjësit e tyre, se në çdo sektor tjetër. Paga mesatare bruto ishte 124,814 lekë në 2016-n. Megjithatë, edhe organizatat e huaja duket se i ka kapur kriza, teksa paga mesatare është -3,351 lekë, apo -2.6 më e ulët se në 2015-n.
Profesioni i dytë më fatlum në Shqipëri është për të gjithë ata që punojnë në banka, ose kompani sigurimi. Paga mesatare bruto mujore e Aktiviteteve Financiare dhe Sigurimit ishte 97,962 lekë në 2016-n. Ky vit ka qenë i mbarë për profesionistët e këtij sektori, që kanë parë një rritje mesatare të pagës me 2,435 lekë, ose 2.5%.
Të tretët në listë janë punonjësit e Informacionit dhe Komunikacionit, me pagë mesatare 70,083, që ka rënë me 1,491 lekë, ose 2.1%, në krahasim me vitin e mëparshëm.
Të katërtit, Aktivitetet Profesionale, Shkencore dhe teknike kishin një pagë mujore prej 69,115 lekë në 2016-n, por në vlerë absolute ata kanë pasur rritjen me të lartë me 7,206 lekë, apo 11.6%. Megjithatë, më shumë sesa fakti që profesionistët duket se kanë filluar të vlerësohen, kjo ka lidhje dhe me rritjen e pagave referencë për profesionet e lira, nga janari 2016, por që u rrëzua në shtator nga Gjykata Kushtetuese.
INSTAT ka publikuar së fundmi tabelën e përditësuar me Pagat mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë sipas aktiviteteve ekonomike, për vitin 2016.
Nga 21 sektorë, që raporton INSTAT, 10 prej tyre, apo gati gjysma, rezultojnë me rënie të pagave bruto. Në total, paga mesatare bruto në ekonomi ra me 2.1%, nga 46,829 në 45,845.
Por, cilët janë aktivitetet ekonomike, me pagat më të larta mujore në vitin 2016 dhe si kanë ndryshuar në krahasim me një vit më parë.
Në vend të pestë janë ata që punojnë në aktivitetin e Furnizimit me Energji Elektrike, Gaz e Avull dhe me Ajër të Kondicionuar, me pagë 68,355, një rritje e lartë me 8.7%.
Renditjen e vijon Industria nxjerrëse, me një pagë mesatare bruto prej 59,574, por që ka parë rënien më të madhe në vlerë absolute me 4,261 lekë, apo 6.7% më pak. Ky ka qenë një vit i vështirë për këtë industri për shkak të konjukturës së pafavorshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Në vend të shtatë është aktiviteti i Administrimit publik dhe i mbrojtjes, me pagë mesatare 58,548 lekë, me një rënie prej 1.2%.
Për arsimin, 2016-a ka qenë i mbarë, pasi ka parë një rritje të pagave me 4.4, apo me 2,412 lekë, për të arritur në 57,140 lekë.
Në vend të nëntë janë Aktivitete të tjera shërbimi, me pagë mesatare 49,875 lekë, me rënie 1.3%.
Shëndetësia dhe veprimtari të tjera sociale kanë pasur një rritje mesatare të pagës mujore me vetëm 500 lekë në 48,410 lekë.
11 profesionet e tjera kanë një pagë mujore më të ulët se 45 mijë lekë. Pagën më të ulët e ka “Akomodimi dhe aktivitetet e shërbimit të ushqimit”, kryesisht kamarierët, të cilët paguhen edhe me bakshishe.
Të ulëta i kanë pagat edhe ata që ofrojnë Shërbime në shtëpi, që për më tepër kanë parë një rënie të lartë, me rreth 4000 lekë, nga 33,211 në 29,221 lekë në vitin 2016. /Monitor