(Foto nga vendngjarja)
Policia e Durrësit bën të ditur emrat e personave që mbetën të plagosur gjatë të shtënave me armë zjarri që u shënuan sot në një lokal në Durrës, në rrugën me kalldrëm artificial prapa Pallatit të Kulturës.
Fillimisht u raportua për dy persona të plagosur, por sipas njoftimit të fundit të policisë, bëhet me dije se janë plagosur tre persona, konkretisht shtetasit Elvis Kurti, Ervin Qerimi dhe Eloert Hoxha.
Ngjarja ka ndodhur pas një konflikti çasti mes 4 personave në ambientet e lokalit, ku veç armëve janë përdorur edhe thika gjatë përleshjes. Sipas burimeve nga policia, Kurti është plagosur me armë zjarri, ndërsa dy të plagosurit e tjerë, Qerimi dhe Hoxha janë qëlluar me thikë.
Ndërsa emrat e autorëve të arrestuar, nuk bëhen ende publikë.
Njoftimi zyrtar i policisë:
"Më datë 12.03.2016, në lagjen nr.11, në një dyqan shitje kafesh, si rrjedhojë e një konflikti çasti midis 4 shtetasve, janë plagosur 3 prej tyre, konkretisht:
• Elvis Kurti është plagosur me armë zjarri;
• Ervin Qerimi dhe Eloert Hoxha, janë plagosur me thikë.
Ndërkohë, në konflikt është përfshirë edhe shtetasi Elton Hoxha.
Të plagosurit ndodhen në Spitalin Rajonal Durrës nën kujdesin e mjekëve.
Shtetasit Elton dhe Eloert Hoxha janë edhe persona me precedentë penalë të mëparshëm.
Nga ana e efektivëve të Policisë Durrës është bërë e mundur kapja e autorëve, dhe po punohet për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes."
S.L.