Lionel Messi është ndëshkuar nga FIFA me 4 ndeshje pezullim, për shkak se ka fyer arbitrin anësor gjatë ndeshjes së luajtur mes Argjentinës dhe Kilit, të enjten e kaluar. Ylli i Barcelonës ka dërguar një letër në dosjen e mbrojtjes së tij, duke pretenduar se fjalët ofenduese ishin folur “në ajër”, nuk i drejtoheshin asistentit të arbitrit. “Ato fjalë nuk i drejtoheshin asistentit të parë të arbitrit, por u thanë në ajër,” – tha Messi, kapiteni i “Albiceleste”. Marcelo Tinelli, drejtues i ekipeve kombëtare argjentinase, ka thënë të martën se Messi ka bashkangjitur “një shënim” për lirimin e tij nga akuzat dhe pezullimi, të cilin AFA e ka dërguar në FIFA, por nuk dha detaje mbi të.

Eshtë gazeta “Ole”, që e publikon këtë letër, të firmosur nga pesë herë fituesi i “Topit të Artë”, i cili shpjegohet dhe justifikohet para se Komisioni i Apelit në FIFA të marrë në shqyrtim çështjen në fjalë. Kujtojmë se Komisioni Disiplinor i FIFA-s vendosi ta pezullojë katër ndeshje Messin, për “fjalët fyese” kundër asistentit të arbitrit në ndeshjen kualifikuese kundër Kilit, e vlefshme për “Rusia 2018”. Ndeshjen e parë, në të cilin nisi aplikimi i ndëshkimit të Messit, Argjentina e humbi në La Paz, kundër Bolivisë, 2-0, të martën, ndërsa në vijim do të jenë eliminatoret e Kupës së Botës kundër Uruguajit, Venezuelës dhe Perusë. AFA njoftoi se do ta apelojë vendimin për pezullim të yllit të vet dhe se do të përpiqet për ta reduktuar ndëshkimin. “Unë mohoj në mënyrë kategorike të kem ofenduar asistent arbitrin e ndeshjes kundër Kilit. Sjellja ime në fushë është brenda rregullave të përcaktuara nga neni 57 i Kodit Disiplinor të FIFA-s. Ky institucion nuk duhet të bazohet në pamjet filmike, të cilat janë të prera dhe kanë nxjerrë nga konteksti fjalwt e mia. FIFA duhet të pyesë arbitrin, i cili në realitet ka mohuar që unë të kem përdorur fjalor ofendues…”, – thuhet në letrën e argjentinasit.