Personel i dubluar do të shërbejnë tek të gjitha repartet kyçe të spitalit të Durrësit me rastin e ndërrimit të viteve. Janë marrë masat që personeli mjekësor të jetë në krye të detyrës, për çdo të papritur që mund të ketë. Këtë ka deklaruar drejtoresha e spitalit të Durrësit Artiola Frashëri, në mbledhjen e shtabit të emergjencës të thirrur nga prefekti i Durrësit Roland Xhelilaj.
“Policia është e gjitha në këmbë, përveç komisariatit, në rrugë janë edhe inspektorët e krimeve në çdo ambient ku do të festohet, për të garantuar qetësi siguri e rend”, tha nëndrejtori i policisë Shkëlzen Rexhepi.
“Edhe OSHEE ka në gatishmëri 140 elektricistë, për çdo avari që mund të ketë. Grupet e gatshme të OSHEE-së, janë planifikuar të jenë në gatishmëri”, deklaroi kryeinxhinieri i OSHEE-së.
Edhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka një barrë të rëndë në prag të ndërrimit të viteve. Inspektorët e AKU-së janë të gjithë në terren, për të parandaluar rritjen artificiale të çmimit, por njëkohësisht edhe për të rritur sigurinë ushqimore. Altin Murto, kreu i AKU-së në Durrës tha në Shtabin e Emergjencës se po punohet me dy turne, dhe po verifikohet çdo ankesë e bërë nga qytetarët në lidhje me produktet ushqimore.
K.H.





