10 qershor 2015 – Vangjush Dako, i cili ka parë nga afër investimin që ka nisur në zonën e plazhit për mbylljen e kanalit të hapur, ka deklaruar para banorëve të zonës se për një muaj ky kanal do të mbyllet plotëisht, ndërsa më pas nis puna për ndërtimin e rrugës sipër tij.
Kanali në fjalë prej vitesh ka qenë shqetësim i banorëve të zonës së plazhit, por në përfundim të projektit zona do të ketë një përmirësim të dukshëm në lidhje me infrastrukturën e saj. Tombinot që po vendosen në mes të kanalit do të përcjellin ujërat e shiut dhe ujërat e zeza të zonës së banuar nga rruga kryesore Ura e Dajlanit-Plepa në drejtim të shinave të trenit. Më pas ato lidhen me kolektorin kryesor të ujërave të zeza tek Ura e Dajlanit dhe përfundojnë në impiantin e trajtimit të ujërave të ndotura në Shënavlash. Pas mbylljes së kanalit rruga e re do të ndërtohet me dy korsi, nga 3 metër secila dhe trotuare nga të dy anët, 2 metra të gjera.
Duke ecur në këmbë nga zona ku ka mbërritur investimi deri në rrugën “Andon Boshnjaku”, kandidati i majtë për Durrësin, u tha banorëve se në muajin shtator nisin punimet për një investim tjetër të rëndësishëm të kësaj zone.
“3.5 milionë dollarë na ka dhënë qeveria shqiptare për një projekt të rëndësishëm për zonën tuaj dhe në shtator nisin punimet. Të gjithë daljet drejt detit do të rikualifikohen dhe aty do të ndërtojmë rrugë, shëtitore, parqe, lulishte dhe kënde lojërash për fëmijët”.
Projekti në fjalë ka parashikuar që përgjatë rrugës Ura e Dajlanit-Plepa të ulet edhe numri i automjeteve që do të lëvizin në këtë aks. Pas përfundimit të rrugës që po bëhet sipër kanalit të hapur, në segmentin nga Ura e Dajlanit deri te Canal Grande rruga do të funksionojë siç është aktualisht, ndërsa nga aty deri tek Iliria, rruga do të ngushtohet. Lëvizja e automjeteve do të funksionojë vetëm në gjysmën e saj, ndërsa gjysma tjetër do të përdoret tërësisht si shëtitore për banorët e zonës dhe turistët në sezonin veror.
Zona e plazhit do të përfitojë edhe dy investime të tjera të rëndësishme gjatë kësaj vjeshte. Në muajin shtator nisin punimet për ndërtimin e rrjetit sekondar dhe tercial të ujërave të zeza, investim i Bankës Botërore me vlerë 4 milionë euro dhe që shtrihet në zonën nga Ura e Dajlanit deri në Shkëmbin e Kavajës. Nga ana tjetër ndërmarrja e Ujësjellës Kanlizimeve pret akordimin e fondit për ndërtimin e rrjetit të ri të furnizimit me ujë të pijshëm për zonën e plazhit, pasi projekti ka përfunduar para një viti dhe është miratuar nga qeveria.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





