24 nëntor 2015 – Një gropë e madhe e mbetjeve urbane është krijuar brenda portit të Durrësit, në zemër të tij, në sektorin e peshkimit. Nuk dihet për sa kohë, por brenda ambienteve të peshkimit depozitohen mbetjet urbane, po aty edhe dekompozohen. Pamja është e frikshme, nuk hedh dot sytë në asnjë vend, sepse kudo mbizotërojnë plehrat që grumbullohen aty nga magazinat e peshkut, e nuk pastrohen kurrë.

Rruga në të dy bankinat e peshkimit është e frikshme, sepse midis plehrave qëndrojnë edhe tufat e minjve. Kësaj situate i shtohen edhe ujërat e zeza që qarkullojnë lirisht në sipërfaqe. Vetëm port peshkimi nuk mund të quhet ky. Magazinat e peshkut hedhin pa kriter mbetjet në sipërfaqe dhe askush nuk i pastron. Jo rrallëherë plehrat përfundojnë në det, aty ku janë edhe anijet e peshkimit.

Ashtu sikundër porti, bankinat dhe vendi ku qëndrojnë anijet është po njësoj. Vetë anijet e peshkimit janë duke u mbytur një e nga një për shkak të amortizimit. Pjesa fundore e tyre është drejt shkatërrimit, sepse qëndrojnë për një kohë të gjatë në ujë, pa u riparuar, në mungesë të kantierit. Në antitezë të gjithë kësaj situate qëndron porti i ri i peshkimit në Durrës, një investim miliona euro krejtësisht bosh e jofunksional. Një investim që konsiderohet i dështuar, për aq kohë sa nuk është në shërbim të anijeve, dhe në funksion të qëllimit për të cilin u ndërtua. 

/K.H. portali DurresLajm/