Bashkia e Durrësit iu bashkua iniciativës së Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes në bashkëpunim me Unionin Turistik Shqiptar dhe ExpoCity Albania, me pjesëmarrjen në Panairin Mesdhetar të Turizmit “Mediterranean Tourism Fair”.
Ky panair që po zhvillohet në Qendrën e Panaireve ExpoCity në Tiranë, më datë 8 dhe 9 prill 2017, është i vetmi i dedikuar turizmit, me qëllim bashkëpunimin dhe promovimin e destinacioneve të turizmit, produkteve dhe shërbimeve turistike. Në këtë kuadër, Bashkia e Durrësit, me qëllim promovimin e turizmit bregdetar, vlerave kulturore dhe arkeologjike të qytetit të Durrësit në nivel ndërkombëtar, përveçse promovimit të produkteve të saj turistike tradicionale lokale, vjen me një risi në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit, duke nxitur promovimin e produkteve dhe shërbimeve turistike, si njësi akomoduese, bar-restorante, kulinari, agroturizëm, produkte turistike artizanale etj.
Në këtë Panair Ndërkombëtar të Turizmit, ishte ftuar të merrte pjesë në stendën dedikuar Bashkisë Durrës, edhe përfaqësuesja e fermës “Amalthia”, e cila paraqiti në formën e degustimit produktet bio-organike të freskëta. Gjithashtu, gjatë degustimit të produkteve, u paraqitën edhe broshurat informative rreth aktivitetit të fermës, e cila përbën edhe një ndër praktikat më të mira jo vetëm në Bashkinë Durrës, por edhe në të gjithë Qarkun e Durrësit.
Në kuadër të promovimit të kulturës dhe traditës së Shqipërisë së Mesme, veçanërisht të rajonit të Durrësit, Bashkia e Durrësit ka ndërmarrë nismën për të ftuar në këtë Panair edhe 15 gra sipërmarrëse, të cilat bëjnë punime artizanale (punë të bëra me dorë) si kostume popullore, punime të ndryshme qëndistarie etj. Në këtë Panair këto gra sipërmarrëse përfaqësohen nga një grua artizane e cila ekspozoi kostumet popullore lokale të zonës. Gjithashtu në Panair, stendës së Bashkisë Durrës iu bashkua edhe Departamenti i Turizmit, në Fakultetin e Biznesit, pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, me pjesëmarrjen e studentëve vullnetarë.
Për herë të parë në Panairin e Turizmit, ka një pjesëmarrje të gjerë të konfirmuar nga mbi 20 vende si: Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Turqia, Greqia, Italia, Franca, Spanja, Gjermania, Zvicra, Austria, Izraeli etj. Këto vende nëpërmjet Operatorëve Turistikë pjesëmarrës, promovojnë potencialet turistike të vendit të tyre. Në këtë event të rëndësishëm, janë pjesëmarrës: Operatorë Turistikë, Agjenci Udhëtimi, Hotele, Kompani Ajrore, Kompani Tragetesh, Transportues Turistikë, Resorte Agro-Turizmi, Restorante Turistike, Prodhues të verërave, Bujtina, Artizanë etj. Gjithashtu, janë të pranishëm edhe institucione publike si: Agjencia Kombëtare e Turizmit, Agjencia e Bregdetit dhe disa Bashki me potencial turistik, përfshirë këtu dhe Bashkinë e Durrësit.