Qeveria ka miratuar në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, shpërblime për punonjësit e policisë, për orët shtesë që do të kryejnë jashtë orarit zyrtar edhe për ditët e festave.
Në bazë të vendimit të qeverisë, punonjësit e policisë do të punojnë 40 orë në javë, ndërsa për çdo orë punë apo shërbim që kryhet nga ora 19:00 deri në 22:00, punonjësit e policisë përfitojnë një shtesë page prej 20%.
Rritje page në nivelin 50% do të përfitojnë ata efektivë policie që do të punojnë nga ora 22:00 deri në 6:00 të mëngjesit.
Sipas vendimit, për orët e punës gjatë ditëve të festave dhe ato të pushimeve javore, punonjësit e Rendit do të përfitojnë 25% shtesë pagë dhe kompensim kohe pushimi të barabartë me shërbimin e kryer jashtë orarit.
Po ashtu, punonjësit të Policisë i jepet leje e pagueshme, për rastet, si më poshtë:
Martesën e tij 7 ditë,
Martesën e fëmijës 5 ditë,
Lindjen e fëmijës (baballarët) 3 ditë,
Vdekjen e prindërve, të gjyshërve, të bashkëshortes/it, të fëmijës, vëllezërve, motrave 7 ditë,
Ndërrim të banesës 3 ditë;
Sëmundje të rënda të fëmijëve, prindërve 7 ditë,
Përgatitjen dhe mbrojtjen e titujve të gradave shkencore për punën që kryejnë 10 ditë.
Pak ditë me parë qeveria miratoi edhe vendimin për sigurimin e jetës për Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe ato të RENEA-s.





