Kryeministri Edi Rama, gjatë një vizite në qytetin e Fierit ka premtuar para qytetarëve se do të gjejë patjetër një mënyrë për rritje të pagave dhe pensioneve.
Sipas tij qeveria do të kalojë nga indeksimi i përvitshëm në rritje te pagave dhe pensioneve, por nuk zbuloi se ku do gjenden paratë.
“Ne duhet të rrisim rrogat dhe pensionet. E kur flas për rritje, nuk them për rritjen 1%, se ajo nuk është rritje pensioni, por është indeksim. Unë ju siguroj që nuk ka një ditë të punës time, qysh ditën e parë, që nuk mendoj si do rrisim rrogat dhe pensionet më shumë. Ju siguroj për këtë!”- ka thënë kreu i qeverisë.
Meqë takimi në Fier kishte në qendër fermerët, ai i ftoi ata t’i drejtohen bankave të nivelit të dytë për të përfituar nga kreditë dhe njoftoi se në shtator fillon aplikimi nga skema mbështetëse të BE-së, 71 milionë euro grante për investime dhe makineri në fshat.
“ Fermerët duhet t’i kthejnë sytë nga institucionet financiare. Tanimë nuk është situata që fermeri shkon tek banka dhe ajo i thotë se ka këto interesa, por ato interesa e bëjnë të pamundur financimin. Tani është secili nga ju dhe shteti në krahun tuaj.”- është shprehur më tej Rama.
Së shpejti sipas tij do të nisë një projekt i ri për ujitjen e kullimin e tokave bujqësore me tubacione të mbyllura çka nuk do të lejojë bllokimin e tyre nga mbeturinat apo ferrat.
“Ne fillojmë së shpejti një projekt transformimi të gjithë sistemit të ujitjes, në një sistem të mbuluar. Për t’ju ardhur në ndihmë fermerëve që kanë një projekt pritet që shumë shpejt të çelen disa sportele unike ku fermerët mund të marrin informacione”,- ka përfunduar kryeministri.





