Një skenë si në film ka qenë grabitja e djeshme e kazinosë pranë kryqëzimit “21 Dhjetori”, mirëpo nuk bëhet fjalë për një film aksion, por për një film komedi.

Ditën e së martës autoritetet raportuan se autori e kishte kryer grabitjen duke kërcënuar të pranishmit me një armë lodër. Mirëpo, detajet e sotme të zbuluara janë akoma dhe më komike.

Gazeta “Shqip” shkruan se rreth orës 13:30 të së martë një i ri mësyu me pistoletë lodër kazinonë për të grabitur shumën e parave që ishte mbledhur deri në ato momente. Fillimisht, dukej se gjithçka po shkonte mirë, por kjo gjë nuk zgjati shumë. Në momentin e ikjes, autorit i çahet pistoleta në dysh dhe goglat e saj përhapen në dysheme. “Pati nga ata klientë që u shkrinë gazit nga kjo skenë, ndonëse kishin humbur shuma të mëdha parash në kazino”, thanë burimet policore.

Në momentin kur ndodhi ngjarja, në kazino kishte shumë pak klientë, të cilët të përqendruar në lojën e tyre, nuk e kishin kuptuar se çfarë po ndodhte. Situata ishte qartësuar vetëm në momentin kur në ambjentet e biznesit u futën forcat policore, të lajmëruar nga punonjësit. Sipas tyre, mësohet se shuma e marrë nga autori i ngjarjes varion nga 10 deri në 20 mijë lekë të vjetër, ndërsa po përllogaritet vlera e saktë.