Edhe pse apendiciti (inflamacion i apendiksit) është më pak i zakonshëm, rreth 5% e popullsisë përfundojnë me të, dhe nëse bëni pjesë tek grupi i fatkeqëve, duhet ta zbuloni sa më shpejt të jetë e mundur, shkruan “shëndeti”.
Nëse nuk trajtohet, apendiksi mund të plasë dhe t’ju rrezikojë jetën. Jo çdo rast i apendicitit mund të çojë në plasje të organit, megjithatë, nëse shkon gjatë gjendja pa u kontrolluar, rreziku është shumë i madh. Ja cilat janë shenjat që paralajmërojnë se duhet të bëni një vizitë mjekësore, ndoshta edhe të menjëhershme.
Barku ju dhemb më shumë se asnjëherë më parë
Apendiciti zakonisht shkakton dhimbje që përhapen nga kërthiza për tek pjesa e poshtme e barkut, në anën e djathtë. Edhe pse kjo nuk do të thotë medoemos që po ju plas apendiksi, mund të keni nevojë për një eko. Shumë njerëz mund të përjetojnë dhimbje në pjesë të ndryshme të stomakut ose në anën tjetër. Dhimbja mund të përkeqësohet gjithashtu nëse lëvizni këmbët ose barkun, kolliteni ose teshtini; ose tronditeni – për shembull gjatë udhëtimit me makinë.
Keni të përziera, villni dhe nuk keni oreks
Nëse keni të përziera dhe të vjella, përveçse dhimbje të tmerrshme në stomak, duhet të bëni një kontroll. Inflamacioni i apendiksit shpesh prek pjesë të tjera të traktit gastrointestinal dhe sistemit nervor, dhe çon në të përziera dhe të vjella.
Po shkoni në tualet më shpesh se zakonisht
Tek disa njerëz, apendiksi është i pozicionuar në pjesën e poshtme të legenit, prandaj është shumë afër fshikëzës. Nëse fshikëza bie në kontakt me një apendiks të inflamuar, fillon të inflamohet dhe irritohet edhe ajo. Prandaj dhe ndieni sikur duhet të urinoni gjatë gjithë kohës, dhe keni dhimbje kur urinoni. Sigurisht që kjo mund të sinjalizojë edhe për infeksione urinare, megjithatë nëse shoqërohet edhe me simptoma të tjera të përmendura më sipër, mund të paralajmërojë për apendicit.
Keni ethe ose temperaturë
Temperatura e lartë dhe ethet paralajmërojnë për inflamacion diku në trup. Nëse ju është inflamuar apendiksi “trupi përgjigjet duke lëshuar disa kimikate për të ngritur alarmin dhe sjell qeliza luftuese në këtë pjesë, që manifestohet si një dhimbje e lokalizuar si dhe simptoma në trup të tilla si temperatura e lartë dhe ethet. Nëse keni gjithashtu dhimbje barku dhe gjendja shëndetësore po përkeqësohet edhe më shumë, konsultohuni me mjekun.
Jeni të çorientuar dhe thuajse të pavetëdijshëm për veprimet tuaj
Nëse jeni të çorientuar ose konfuz, mund të paralajmërojë për përkeqësim të infeksionit – mund të ketë hyrë në qarkullimin e gjakut dhe mund të jetë fatale për jetën. Me përkeqësimin e infeksionit dhe zgjerimin edhe në burime të tjera të trupit, përfshirë edhe oksigjenin, truri fillon të ketë mungesë të oksigjenit dhe nuk funksionon normalisht.