*Përdor akuzat për manipulim listash si argument për humbje të  mundshme të saj më 21 qershor

16 qershor 2015 – Kandidatja e djathtë për Durrësin, Grida Duma, vetëm pak kohë para se të niste debati ku ishte e ftuar me rivalin e majtë, Vangjush Dako, e anuloi praninë e saj në emisionin “Top Show”. Ajo i ka dërguar një letër drejtuesit Alban Dudushi, duke i shprehur faktin se nuk pranoi kushtet e vendosura nga televizioni, për paraqitjen e disa materialeve filmike për manipulim të listës së votuesve nga e majta.

I pyetur për këtë tërheqje të Dumës, Dako tha se, kjo ndodhi sepse kandidatja e djathtë nuk pranoi të fliste për idetë e projektet e Durrësit në këtë përballje direkte. “Ne ramë dakord për pikat e debatit. Nëse ka video e materiale le t’i transmetojë në çdo televizion apo kudo, por ne sot këtu do të flisnim për projektet e Durrësit dhe ajo e shmangu”, u shpreh kryebashkiaku aktual i Durrësit.

Përballja e sotme pritej të ishte e para dhe e fundit mes dy kandidatëve për Bashkinë e dytë më të madhe në vend. Kandidatja e djathtë duket sikur po e argumenton që tani pasojat e 21 qershorit, humbjen e mundshme përballë Dakos, me akuzat për manipulim të listës së votuesve.

Më herët, sot në mbrëmje, në “Ora News” u paraqit sondazhi i tretë për zgjedhjet e së dielës, i cili shënoi sërish Vangjush Dakon fitues, me një diferencë votash prej 2 për qind.

 

 

 

 

 

 

 

Agjencia e lajmeve “Dyrrah”