·Projekt, që do të mundësojë gati 100 mijë të punësuar
DURRËS, 26 dhjetor 2014 – Interesi më i madh i kinezëve në konferencën e e Beogradit, në fakt, ka qenë dhe për Spitallën.
Etjen Xhafaj (në foto), drejtor kabineti i Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, deklaron:
“Ne jemi në bisedime për zonën e lirë ekonomike të Spitallës, e cila është një zonë prej 500 ha dhe këto negociata prej palës kineze insistonin dhe më tepër, pasi donin dhe 2 000 ha. Por problem është një gjigant tjetër kinez, që kërkon një zonë po kaq të madhe. Arsyeja e kësaj këmbënguljeje lidhet me pozitën e Spitallës. Tregu më i madh i Kinës sot është BE-ja dhe për fat Shqipëria ka disa marrëveshje me BE-në dhe rajonin. Në këto kushte, sipërmarrjes kineze i intereson të jetë më afër tregut dhe me këtë rast të eliminojë tarifat e transportit, që janë problem, ndërkohë që nga territori shqiptar Evropën e kanë afër dhe po ashtu edhe lëndën e parë, nga ku mund të realizojnë më shpejt dhe pa kosto prodhimet e tyre.
Spitalla është një projekt, që do të mundësojë gati 100 mijë të punësuar. Është një projekt masiv. Do dhe pak kohë që të kryhet negociata, pasi ata i marrin dhe i zhvillojnë me faza projektet e tyre dhe do marrin mbështetjen edhe të ndonjë prodhuesi të njohur botëror. Kjo na intereson dhe neve në terma ekonomikë, pasi jemi të interesuar të vijë një prodhues i madh. Në këtë rast, duam të vijë “Haier”, prodhuesi më i madh i elektro-shtëpiakeve sot në botë që tregun e ka në Evropë.
Spitalla do jetë një zonë, ku do të ketë prodhime elektronike, elektrike dhe industrinë e lehtë. Por jo industri e rëndë, pasi s’është zona e banuar. Investitorëve kinezë u duhet kjo infrastrukturë, pasi Spitalla ka parkun energjetik, impiantin e ujërave të zeza dhe është vetëm 8 kilometra me Durrësi”
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





