11 korrik 2014 – Në kujtesën tuaj, mund të keni ruajtur kujtime fotografike kur keni qenë të vegjël, ndoshta një moment të vogël, por përsëri sado që të përpiqeni nuk mund të mbani mend fëmijërinë tuaj me detaje. Shkencëtarët e kanë zbuluar se pse.
Sipas shkencëtarëve kur qeliza të reja krijohen në trurin e njeriut nga ngjarjet e ditës, informacionet që marrim, të gjitha këto ruhen në kujtesën tonë duke zënë vendin e kujtimeve që janë formuar më parë.
Pra arsyeja pse nuk ju kujtohet kur keni festuar 5-vjetorin e ditëlindjes tuaj, apo të një shoku tuaj, është sepse kujtimet e reja, shkatërrojnë ato të vjetrat, duke bërë që ne të humbasim ato të parat.
Ne nuk mund të kujtohemi për çdo gjë, për shkak se aftësia jonë për të ruajtur kujtimet është e kufizuar.
"Ky lloj i harresës është i rëndësishëm për kujtesën. Ka një fund. Ju doni dhe keni nevojë që të hiqni qafe ato kujtime që s’kanë asnjë vlerë për ju, atëherë ju do të mund të mbani mend detajet dhe ngjarjet më të rëndësishme në jetën tuaj”, thotë neurobiologu Paul Frankland.
Paaftësia jonë e çuditshme për të mos mbajtur mend fëmijërinë, ka shqetësuar me kohë shkencëtarët. Disa prej tyre e shpjegonin këtë paaftësi me faktin se në fëmijëri nuk mund të flasim.
Por sot është arritur një konkluzion sipas të cilit, duke pasur parasysh se kapaciteti ynë për të kujtuar ka një fund, ndoshta disa kujtime janë më të rëndësishme se të tjerat dhe zënë vendin e këtyre të fundit.





