Gjakmarrja në vendin tonë është një fenomen i keqpërdorur nga shtetas të ndryshëm shqiptar me arsyen për të përfituar statusin e azilantit në vendet e Bashkimit Europian. Kjo gjë, ka detyruar Policinë e Shtetit të marë masa për të parandaluar një dukuri të tillë, ndaj dhe ata shtetas të cilët do të nxjerrin justifikimin e gjakmarrjes për të përfituar azil do ta kenë të pamundur.

Kjo pasi Policia e Shtetit ka krijuar bazën e të dhënave për fenomenin e gjakmarrjes në Shqipëri. Akses i shpejtë i informacionit vetëm për qëllime policore për evidentimin e të gjitha rasteve të ndodhura në vite, evidentimin e individëve dhe familjeve të prekura nga ky fenomen, evidentimin e individëve dhe shoqatave që merren me trajtimin e rasteve të pajtimeve.

Vazhdimisht Policia e Shtetit merr kërkesa nga homologët e tyre për verifikimin e deklaratave të shtetasve shqiptarë që pretendojnë se janë në gjakmarrje. Administrimi i një baze me këto të dhëna do të shërbejë për parandalimin e kërkesave për azil në vendet e Bashkimit Europian dhe Mbretërinë e Bashkuar. Baza e të dhënave do të ndikojë gjithashtu pozitivisht në punën e Policisë së Shtetit duke ofruar konsultimin e të dhënave dhe marrjen e informacionit në çdo kohë për fenomenin e gjakmarrjes në Shqipëri.