Fazën përgatitore Teuta do ta zhvillojë në Ohër edhe pse fillimisht drejtuesit dhe stafi teknik kishin rënë dakord për Italinë. Kushtet në Rimini, ku qëndruan një vit më parë, ishin të shkëlqyera dhe stafi teknik kishte dhënë aprovimin, por për shkak të disa procedurave burokratike ndryshuan mendje.

Burime pranë klubit të Teutës bëjnë me dije se drejtuesit zgjodhën opsionin e Ohrit, pasi është më e lehtë për t’i pajisur me viza lojtarët. Verën e kaluar bregdetarët vuajtën shumë me disa lojtarë për t’i pajisur me viza dhe për të shmangur një problem të tillë zgjodhën vendin fqinj.

“Djemtë e Detit” kanë qenë edhe në vitet e kaluara në Ohër, ndërsa kanë mbetur të kënaqur nga kushtet që ofrohen. Ekipi do të stërvitet deri në datën 16 në Durrës dhe të martën më 17 korrik do të nisen drejt Ohrit ku do të qëndrojnë tre javë. Skuadra dhe stafi teknik do të akomodohen në “Hotel Belvedere”. Përgatitorja në Ohër, do t’i shërbejë trajnerit Shkëmbi dhe stafit të tij teknik për të kolauduar ekipin.

Ndërkohë gjatë qëndrimit në Durrës, Teuta do të zhvillojë edhe disa ndeshje miqësore. E para ishte të hënën brenda familjes ku Shkëmbi provoi shumë lojtarë të rinj, ndërsa të premten do të ndeshen me Kastriotin. Burime të klubit bëjnë me dije se ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Niko Dovana”, me trajnerët që do të shohin gjendjen e skuadrave që drejtojnë.

“Teuta do ta zhvillojë fazën përgatitore të verës në Ohër të Maqedonisë. Gjatë përgatitjeve tre javore do të zhvillohen disa ndeshje miqësore që do t’i shërbejnë trajnerit Shkëmbi dhe stafit teknik për kolaudimin e skuadrës. Ekipi do niset në drejtim të Maqedonisë më datë 17/07/2018 dhe do akomodohet në “Hotel Belvedere”, thuhet në komunikatën e klubit durrsak.