Tiranë, 7 shtator 2014 –  Vala e arrestimeve për vjedhjen e thesarit të shtetit ka njohur një kthesë të papritur, me prangosjen spektakolare të guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i cili ka kaluar natën e dytë në qeli. Vendin e befasisë dhe trullosjes së minutave të para, tashmë po e zënë pikëpyetjet dhe dyshimet e forta, lidhur me prapaskenat e arrestimit të Fullanit.

Avokat Spartak Ngjela ka deklaruar se Ardian Fullani ka shpëtuar pas arrestimit, pasi nëse do të ishte i lirë, ai mund të ekzekutohej nga mafia e Sali Berishës. Ndërkaq, sipas burimeve, prokuroria, policia dhe gjykata, kanë shpejtuar në kohë prangosjen e Ardian Fullanit, jo për shkak të rrezikshmërisë së tij shoqërore, as të mundësisë së arratisjes apo për shkak të hapësirës për të zhdukur gjurmët e abuzimeve dhe shkeljeve.

Prangosja e parakohshme e Fullanit ka ardhur pasi policia dhe prokuroria është sinjalizuar se jeta e Ardian Fullanit ishte në rrezik, për shkak se guvernatori Fullani ishte në dijeni të të gjitha transaksioneve dhe transfertave të dyshimta të bankave të nivelit të dytë në Shqipëri. Duke qenë se Fullani është në dijeni për shumë dosje misterioze, dëshmitë e tij mund të minojnë shumë linja interesash dhe rrjete personazhesh brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Në këto kushte jeta e tij ishte në rrezik për atë çka dinte. Po sipas burimeve, edhe vetë Fullani, ka qenë i informuar, për rreziqet që i kanoseshin. Përpos rritjes së masave të sigurisë për jetën e tij nga vetë Fullani, një strukturë e posaçme e Policisë së Shtetit, sa e dukshme aq edhe e padukshme, mbronte në çdo hap guvernatorin Ardian Fullani, nga ndonjë atentat të mundshëm. Paralel me rritjen e indicieve dhe sinjaleve për një sulm të mundshëm ndaj Fullanit, janёshtuar edhe masat e sigurisë për jetën e tij. Përpos truprojës personale, një njësi speciale ishte angazhuar për mbrojtjen e tij.

Por, prokuroria dhe policia nuk kishin siguri. Organi i akuzës, ndryshe nga sa ishte planifikuar, nuk priti të marrë në pyetje Fullanin, por e arrestoi mbrëmjen e së premtes, duke e izoluar në një ambient të sigurisë së lartë, në Drejtorinë e Policisë së Shtetit. Fullani tashmë është dëshmitari kyç jo vetëm për vjedhjen e 713 milionë lekëve, por për të gjitha transfertat e dyshimta të bankave të nivelit të dytë. Ardian Fullani është gjithashtu njeriu që di të fshehtat e nëntokës së politikës shqiptare. Jeta e tij tashmë duket se është e sigurtë.   

Fullani në panik për jetën   

Ditë e fundit, para arrestimit, Fullani demonstroi shenja të qarta paniku për sa i takon sigurisë së jetës së tij. Fullani kishte shtuar me shpejtësi masat e sigurisë për jetën dhe integritetin fizik të tij. Ditët e fundit, guvernatori Ardian Fullani, në lëvizjet e tij të tensionuara, përpos shoferit, shfaqej i shoqëruar edhe me bodigard, gjë e cila nuk kishte ndodhur më parë. Nuk dihej nëse Fullani ishte i trembur nga ndonjë atentat i mundshëm apo për ndonjë sulm tjetër fizik, por dukej qartë se guvernatori kishte marrë masa ekstreme për jetën e tij.   

Priten arrestime të tjera   

Guvernatori i Bankës se Shqipërisë, Ardian Fullani dhe Inspektorja e Përgjithshme e BSH-së, Elivar Golemi do të dalin para gjykatës ditën e sotme ku do t’i komunikohet masa e sigurisë “arrest me burg”. Masa iu dha një ditë më parë nga gjyqtarja, Blerina Muça, ndërsa ditën e nesërme pritet që dy të arrestuarit vetëm të njihen me të. Por, këto arrestime nuk do të jenë të vetmet në lidhje me skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve.

“Pritet që edhe të tjerë persona të vendosen nën akuzë, gjë që do të pasohet me të tjera arrestime. Deri tani, Prokuroria ka vendosur nën akuzë në lidhje me vjedhjen 19 persona, nga të cilët vetëm Ardian Bitraj është i akuzuar direkt për vjedhjen e bankës, ndërsa për të gjithë të arrestuarit e tjerë përfshirë edhe Guvernatorin Fullani rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës. Fullani u arrestua të premten, menjëherë sapo doli nga zyra e tij, gjatë orëve të pasdites. 

/gazeta “Sot”/