Ditët e fundit, për shkak të situatës së përkeqësuar të rendit dhe sigurisë publike në Europë, Ministria e Brendshme italiane ka urdhëruar shtimin e kontrolleve të forcave të sigurisë në të gjithë vendin.
Në sitën e Policisë së Shtetit, asaj Rrugore, Kufitare dhe Hekurudhore po kalojnë të gjitha vendet ku dyshohet se mund të qëndrojnë ose janë fshehur terroristë potencialë.
E pikërisht, falë këtyre kontrolleve të shtuara, u bë e mundur edhe kapja e të shumëkërkuarit Altin Tola, nga Durrësi, i dënuar me 20 vite burg, për një sërë veprash penale.
Prania e shtuar e forcave të rendit në një lokal në qytetin e Imperias nervozoi shqiptarin. Pavarësisht se objektivi i kontrollit nuk ishte ai, fakti që qëndronte i fshehur dhe me identitet të rremë prej disa vitesh, e ka alarmuar Tolën, nervozizëm ky që u ra menjëherë në sy karabinierëve.
Tentativa për t'u mbyllur në banjo për t’i shpëtuar ndalimit, nuk arriti ta shpëtonte këtë herë durrsakun.
E kështu, fare rastësisht, karabinierët arrestuan një shumë të kërkuar, me një CV mjaft të pasur në botën e krimit.





