Osmani është bashkuar me grupin e Teutës. Afrimi i tij është një vlerë e shtuar për bregdetarët, pasi përveç sigurisë në mbrojtje, duke formuar dyshen me Ditmar Bicajn, Osmani mund të luajë edhe në mesfushë. Gjatë sezonit të kaluar ai ka treguar një nivel të lartë në këtë rol si pjesë e Skënderbeut të drejtuar nga Ilir Daja.

Nga burime jozyrtare, mësohet se Osmani ka rënë dakord për një kontratë 1-vjeçare, nga e cila do të përfitojë 30 mijë euro. Në këtë periudhë ai ka qenë në pritje të presidentit të Skënderbeut, Ardjan Takaj, por më së shumti ka biseduar me Flamurtarin. Gjithsesi, në fund zgjodhi të firmoste për durrsakët.

Gjithashtu, bregdetarët kanë arritur marrëveshjen edhe me portierin e talentuar të kombëtares U-21 të Maqedonisë, Bobi Celeski, i cili ka qenë gjatë kësaj periudhe në provë te “Djemtë e Detit”. Celeski do të ishte pjesë e skuadrës për sezonin 2018- 2019, ndërsa në fillim të javës do të vihet nën urdhrat e stafit teknik.

Ai shihet si portier i perspektivës, megjithatë në këtë sezon maqedonasi do të jetë zëvendësuesi i Isli Hidit, i cili ishte një tjetër goditje e madhe nga Teuta në merkato.