Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën me dije se personat juridikë dhe fizikë duhet të dorëzojnë pranë organeve tatimore, jo më vonë se data 31 korrik vendimin e organit përgjegjës drejtues të subjektit tatimpagues (asamblesë) për miratimin e rezultatit vjetor dhe destinimit të fitimit.

Këta tatimpagues, kanë detyrimin që brenda 6 muajve nga data e mbylljes së vitit fiskal të kenë miratuar rezultatet financiare të vitit paraardhës, të jenë shprehur në lidhje me destinimin e fitimit pas tatimit, të kenë përcaktuar shumën e rezervave ligjore, pjesën që do të përdoret për investime ose për shtesë kapitali, si dhe pjesën që do të shpërndahet në formë dividenti nëse vendosin për një gjë të tillë.

Ligji parashikon penalitet në masën prej 10,000 lekë, për çdo muaj vonesë në paraqitjen e këtij vendimi.

Gjithashtu, tatimpaguesit duhet të mbajnë në konsideratë se deri në datë 20 gusht duhet të kryejnë pagesën e Tatimit mbi Dividentin, nëse organi vendimmarrës ka marrë vendim për shpërndarjen e fitimit pas tatimit (dividenti).

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve mbetet e angazhuar për informimin e tatimpaguesve mbi zbatimin me korrektesë të legjislacionit, si dhe për deklarimet sipas afateve.