Në vitin 2025 numri i të huajve që vizituan Shqipërinë ishte 12.4 milionë, 700 mijë më shumë nga viti paraardhës, ku pas shqiptarëve të Kosovës, italianët kryesonin listën.

Mbi 1.2 milionë italianë zgjodhën Shqipërinë për pushime gjatë vitit të kaluar, 3.3% më shumë krahasuar me vitin 2024. Vizitorë nga vendet fqinje të shumtë pati edhe nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Greqia.

Për britanikët, Shqipëria është konsideruar si një zbulim në vitet e fundit në mesin e destinacioneve më të njohura të Mesdheut. Mbi 932 mijë turistë nga Britania e Madhe janë regjistruar gjatë vitit të kaluar, mbi 20% më shumë se në vitin 2024.

Performancë pozitive kanë shënuar edhe vendet e tjera të Bashkimit Europian. Shifrat tregojnë një rritje të turizmit në vend edhe në tregun transatlantik, ku më shumë amerikanë dhe kanadezë vizituan Shqipërinë.

Shtimi i numrit të turistëve u përkthye në rritjen e të ardhurave, ku përgjatë 9-mujorit të vitit 2025 ato arritën në 4.4 miliardë euro, ose një rritje prej 14.5%.

Të dhënat tregojnë po ashtu se sitet e trashëgimisë kulturore u vizituan nga mbi 1.5 milionë vizitorë, duke shënuar rritje të të ardhurave me 30.63% krahasuar me vitin 2024.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, tha se shifrat ofrojnë një panoramë të qartë të zhvillimit turistik të vendit, ndërsa theksoi se ka nevojë për planifikim më të kujdesshëm, menaxhim të qëndrueshëm dhe orientim strategjik.