Pjesë e transfertës së pakushtëzuar që jepet nga qeveria qendrore për njësitë e vetëqeverisjes vendore është edhe fondi për rritjen e pagave, e cila do të fillojë nga Korriku i vitit të ardhshëm.

Ky fond është projektuar në nivelin e 1.5 miliardë lekëve apo 15 milionë dollarëve për 2024-ën dhe shpërndahet në 61 bashki në bazë të numrit të punonjësve që ka secila. 

Konkretisht fondin më të lartë e merr Bashkia Tiranë, si bashkia më e madhe dhe numrin më të lartë të popullsisë, i cili arrin në 279 milionë lekë. 

Më pas renditet Bashkia Kamëz me 52 milionë lekë fond, ndjekur nga Bashkia Elbasan me 50 milionë lekë, dhe më tej renditen Shkodra dhe Vlora.

Ndërsa njësitë e vetëqeverisjes vendore që marrin më pak para për rritjen e pagave janë bashkitë Poliçan, Mat, Konispol, Pukë, Pustec, dhe Libohovë, bashki e cila ka nivelin më të ulët me vetëm 5 milionë lekë.

Bashkitë do të marrin nga buxheti i shtetit gjatë viti 2024 në formën e transefertës së pakushtëzuar afro 36.5 miliardë lekë.

Në transfertën e pakushtëzuar të parashikuar për vitin e ardhshëm, që rezulton nga përcaktimi ligjor i madhësisë minimale prej 1% të PBB-së ose prej 24,343 miliard lekë, do të shtohet fondi prej 1,500 miliard lekë për kompensimin e pagave dhe fondet prej 10,740 miliard lekë, për financimin e funksioneve të reja të cilat për periudhën 2016-2018, janë financuar nëpërmjet transfertave specifike.

Formula e ndarjes së transfertës së pakushtëzuar përcaktohet në ligjin “Për Financat e Vetëqeverisjes Vendore, sipas së cilës identifikon nevojat për shpenzime të bashkive duke u bazuar tek popullsia relative, dendësia e popullsisë (që reflekton diferencat në koston e ushtrimit të funksioneve ndërmjet bashkive) dhe tek numri faktik i fëmijëve në kopshte dhe nxënësve në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme në çdo bashki.