Janë me qindra familjet durrsake që vazhdojnë të paraqiten çdo ditë para bashkisë së Durrësit për të paraqitur dokumentacionin e nevojshëm për të përfituar nga bonusi i qirasë.
Nënkryetari i bashkisë, Florian Tahiri, ka publikuar mbrëmjen e sotme në profilin e tij në rrjete sociale vlerën që pritet të ketë bonusi i qirasë për çdo familje, nisur edhe nga përbërja familjare.
Bonusi i qirasë:
1+1 —> 20.000 ALL
2+1 —> 25.000 ALL
3+1 —> 30.000 ALL
Këto janë vlerat e bonusit të qirasë që pritet të përfitojë çdo qytetar i Durrësit i prekur nga tërmeti, nëse do të sistemohet në apartamente apo shtëpi private 1+1, 2+1 dhe 3+1.
Nënkryetari i bashkisë sqaron për DurrësLajm se listat e familjeve që do të përfitojnë nga bonusi i qirasë vijojnë të përditësohen çdo ditë dhe lista përfundimtare mund të ketë të përfshira rreth 2500 familje të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit.
Duke qenë se në media është transformuar deklarata e tij në një lidhje live, Tahiri kërkon të nënvizojë edhe njëherë se vlerat e bonusit pritet të jenë 20 mijë, 25 mijë dhe 30 mijë lekë në muaj.
Në ndryshim nga Tirana, ku Këshilli Bashkiak ka miratuar vlerat e bonusit 18.000; 22.000 dhe 27.000 mijë lekë të reja, në Durrës pritet që bonusi mujor të ketë vlera më të larta, për shkak se dhe çmimi i qirave në Durrës është ngritur mjaft pas tërmetit për shkak të kërkesës shumë të lartë të qytetarëve për akomodim të ri.
Ndërsa disa qytetarë kanë nisur të lidhin kontratat e para të qirasë, vlera përfundimtare e bonusit nuk është miratuar ende në Këshillin Bashkiak të Durrësit dhe për pasojë edhe derdhja e parave në llogaritë e qytetarëve që do të përfitojnë prej tij nuk ka nisur të lëvrohet.
Vetëm pas vendimmarrjes së KB-së Durrës, bashkia do të nisë të rimbursojë qytetarët për kontratat e qirasë së shtëpive.





