Tragetet që lundrojnë nga Durrësi drejt porteve të Barit dhe Ankonës e anasjelltas, gjatë periudhës janar-korrik të këtij viti kanë transportuar 8% më shumë mallra se sa në të njëjtën periudhë të vitit 2017.

Nga Sektori i Statistikave në APD, mësohet se megjithëse kanë kryer të njëjtin numër lundrimesh vajtje-ardhje, 551 gjithsej, tragetet kanë transportuar 520.285 ton mallra të ngarkuar në kamionë dhe trajlerë.

Kjo është një shifër 8% më e lartë se sa ajo e së njëjtës periudhë të vitit të kaluar, ndërsa numri i udhëtarëve, afro 360 mijë gjithsej, ka pësuar 10% rënie.

Tragetet janë shfrytëzuar prej mbi 45 mijë kamionë dhe trajlerë në 7 muajt e parë të këtij viti, një shifër 4 % më e lartë se sa ajo e 7-mujorit janar-korrik të vitit 2017.