SHBA, 13 maj 2014 – Meshkujt me gjatësi më pak se 1 metër e 58 centimetër, jetojnë më shumë se ata meshkuj që e kalojnë gjatësinë e 1 metër e 64 centimetër.
Është ky rezultati i një studimi amerikan i zhvilluar nga Kuakini Honolulu Heart Program dhe Kuakini Honolulu-Asia Aging Study, i bazuar në një kampion prej 8006 amerikanë me origjinë japoneze.
Studiuesit zbuluan se personat me strukturë të shkurtër fizike, zhvillojnë një formë mbrojtje të genit të jetëgjatësisë. Studimi u publikua në revistën shkencore “Plos One”.
“I ndamë personat në dy grupe, ata me gjatësi nga 1 metër e 58 centimetër e poshtë dhe ata me gjatësi 1 metër e 64 centimetër e sipër. Rezultoi se personat më të shkurtër jetuan më gjatë. Ky studim tregon për herë të parë se përmasat e trupit janë të lidhura me genin e jetëgjatësisë. E dinim se kjo gjë ishte për kafshët si minjtë, krimbat dhe mushkonjat, por jo që vlente edhe për njerëzit”, shprehet doktor Bradley Willcox, studiues pranë Universitetit të Hawai.
Një tjetër avantazh i meshkujve të shkurtër është se rrezikojnë më pak që të preken nga kanceri.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





