Tiranë, 28 qershor 2014 – Kamerat e sigurisë së bankës Credins kanë fiksuar të gjithë ngjarjen e rëndë, ku gjeti vdekjen Artan Santo, drejtor dhe bashkëthemelues i kësaj banke. Në pamjet e kamerave shihet se si motori Suzuki V- Storm, i zi, ndalon përpara bankës.
Ka pasur raportime se një polic rrugor ka tentuar që të mos lejojë motorin të parkohet. Por dy personat në motor nuk bëjnë asnjë lëvizje, por qëndrojnë aty për pak sekonda. Pak më parë motori kishte parakaluar makinën Benz Mercedes të Santos, pranë kryesisë së Kuvendit.
Në këtë kohë mbërrin makina e Santos, e cila ndalon në krah të trotuarit, jo paralelisht me të, por në mënyrë të pjerrët. Roja e sigurisë i afrohet makinës duke i hapur derën drejtorit. Në këtë moment personi që ishte pasagjer në motor dhe që ka një çantë në shpinë qëllon në drejtim të derës së pasagjerit, nga ku po dilte Santo.
Nuk dihet nëse Santo është plagosur në këtë moment apo jo, por ai përkulet dhe nis të lëvizë në drejtim të derës së bankës. Por pasagjeri i motorit zbret në tokë. Në këtë kohë Santo ka kaluar në trotuar dhe aty duket sikur pengohet dhe bie në tokë. Në fakt policia thotë se ishte goditur nga një plumb.
Ndërsa ecën pak hapa, atentatori i afrohet dhe e qëllon sërish, këtë herë nga afër. Nga pamjet duket sikur ai e shkrep pistoletën një herë në shpinë dhe dy herë në kokë.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





