18 korrik 2015 – Ja pse bënë “haram” pushimin e fundjavës si ish-lideri vendor i PD-së Armand Teliti, makina familjare e të cilit u gjet e djegur mëngjesin e së shtunës, 17 korrik 2015, ashtu dhe deputeti i djathtë i qarkut bregdetar, ish-ministër i Drejtësisë Eduard Halimi. Ndonëse, deri në orën 14:50 të 18 korrikut 2015, drejtoria e policisë së shtetit për Qarkun e Durrësit nuk ka bërë ndonjë njoftim zyrtar për djegien e makinës së shtetasit Armand Teliti, ka ardhur me shpejtësi në Durrës deputeti i PD-së i këtij qarku Eduard Halimi.
TEKSTI I PLOTË I DENONCIMIT
“Ky akt kriminal vjen pas gjetjeve që bëri auditi i KQZ, zoti Teliti disa muaj më parë me importimin e të paktën 3000 mijë votuesve nga Vangjush Dako e të paktën 600 votuesve nga Elvis Roshi të cilët përmes skemës së importimit të zgjedhjeve, e provuar plotësisht nga prokuroria arritën të manipulonin rezultatin zgjedhor.
Ne i bëjmë thirrje policisë së shtetit të zbulojë sa më parë autorët dhe organizatorët dhe të tregojë me fakte se nuk është në anën e banditëve dhe organizatorëve Vangjush Dako dhe Elvis Roshi dhe të zbulojë sa më parë autorët, ekzekutorët e këtij akti mafioz. Kemi dyshime të forta se pas aktit të vënies së zjarrit të makinës familjare të Armand Telitit është dyshja Dako-Roshi.
I bëjmë thirrje prokurorisë të zhvillojë hetim të plotë dhe efikas të çështjes duke zbuluar dhe vënë para drejtësisë banditët që kryen aktin mafioz sot dhe organizatorët që frymëzuan dhe organizuan këtë akt kriminal. Thirrje dhe OSBE-së të shënojë në raportin përfundimtar këtë akt mafioz të ushtruar nga bandat dhe oligarkët që ndodhen pas këtyre bandave ndaj administratës zgjedhore edhe pas një muaji nga përfundimi i zgjedhjeve”.
Sfondi
Nuk është hera e parë që Halimi shfaqet si kujdestar i Telitit dhe kundërshtar i Dakos. Para afër dy vjetësh, më 8 nëntor 2013, pas kalimit të LSI-së në krah të PS-së, ndryshoi raporti i forcave në Këshillin e Qarkut, ku kryetar ishte Armand Teliti, që ishte shkarkuar pas votimit të përfaqësuesve të Këshillit Bashkiak të Durrësit si përfaqësues i PD-së në Qark. Pas 5 orë debatesh, e majta arrin të neutralizojë barazimin 23 me 23 vota për kryetarin e ri të Këshillit të Qarkut të Durrësit dhe e çon rezultatin në 26 me 20, me “dezertimin” e 2 këshilltarëve të djathtë.
Njoftimin për mbledhjen e këshillit të qarkut ditën e 8 nëntorit 2013 e kishte nënshkruar Armand Teliti, që, sipas rendit të ditës, do të jepte dorëheqjen. Në të vërtet, pas rivotimit të përfaqësuesve të këshillit bashkiak të Durrësit në Qark, Teliti nuk ishte më anëtar dhe nuk kishte se çfarë dorëheqjeje të jepte, është i shkarkuar, tha qytetari nr. 1 i Durrësit, Vangjush Dako, i cili bëri spektakël me të djathtën. Mbledhjen e drejtoi nënkryetari i Këshillit të Qarkut Klodian Merlika i PD-së. Zgjedhja e kryetarit të ri të Këshillit të Qarkut kishte ngjallur interesimin e të dy forcave politike. Lulzim Basha kishte çuar deputetët Eduard Halimi, Igli Cara dhe Gent Strazimiri. Edi Rama kishte çuar deputetët Blend Klosi (i cili erdhi me vonesë, ishte indiferent dhe nuk hyri fare në sallë gjatë debateve), Gentian Bejko dhe Klodiana Spahiu. Ndërsa ligjvënësit “mavi” rrinin urtë, ata “blu” ishin aktivë. Binte në sy ish-ministri i Drejtësisë dhe deputet i qarkut, Eduard Halimi me ndërhyrjet e vazhdueshme dhe debatet (në foton kryesore). Halimit disa herë iu tha se nuk ishte në parlament dhe nuk kishte të drejtë të fliste në mbledhje, por ai vazhdonte e dirigjonte në prani të medieve grupin e këshilltarëve të djathtë, sulmonte kryetarin e bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, replikonte me prefektin e qarkut Rolant Xhelilaj (më hollësisht: Durrës, E majta merr kreun e Qarkut. PD: Na i blenë tanët)
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/