8 korrik 2015 – Zyrtarisht El Salvadori është shteti me numrin më të lartë të vrasjeve në botë, me një rritje të jashtëzakonshme të krimit gjatë muajve të fundit.
Me një popullsi pak më shumë se 6 milionë banorë, El Salvadori është shteti më i vogël në Amerikën Qendrore, por shkalla e vrasjeve tanimë është e afërt me atë të Irakut të shkatërruar nga lufta.
Deri tani këtë vit, janë vrarë të paktën 2865 persona. Vetëm muajin e kaluar, 677 persona u ekzekutuan në El Salvador, një mesatare prej 22.6 të vrarësh çdo ditë, sipas shifrave zyrtare të publikuara javën e kaluar, shkruan “Mail Online”.
El Salvadori ka kaluar edhe Irakun për numrin e civilëve të vrarë. 799 persona thuhet se janë vrarë në muajin maj në Irak, nga të cilët 603 janë civilë.
Shumica e viktimave dërgohen në morg të paidentifikuara. Disa identifikohen nga familjarët, të tjerë qëndrojnë në morg për muaj të tërë dhe më pas kufomat dërgohen në varre masive.
Sipas asaj që shkruhet në reportazhin e prestigjiozes "Mail Online", muajit e fundit bandat shpesh kërkojnë të hakmerren edhe ndaj oficerëve të hetimit duke i ekzekutuar drejtpërdrejt, ose anëtarë të familjeve të tyre. Për këtë, policët atje qëndrojnë gjithmonë të maskuar, pasi në rast se ata do të identifikoheshin nga bandat do të ktheheshin menjëherë në objekt sulmesh.
Terrori ndaj civilëve të pafajshëm në El Salvador nuk ka kufi. “Ver, OIR y calla” është thënia që shihet shpesh e shkruar në muret e komuniteteve të varfra, e cila përkthehet: “Shohim, dëgjojmë, mbaj gojën mbyllur”.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/