Në orën 22:30 të natës së fundit të këtij viti që po lëmë pas, në sheshin “Nënë Tereza” do të nisë një koncert festiv me pjesëmarrjen e këngëtarëve Eugent Bushpepa, Vesa Luma, Kamela Islamaj, Marsela Çibukaj, e shumë të tjerë.
Veç emrave të njohur të muzikës, në koncertin festiv do të jenë të pranishëm edhe trupa e Cirkut Kombëtar, si dhe “DJ” të përzgjedhur. Bashkë me qytetarët, për të pritur ndërrimin e viteve në sheshin “Nënë Tereza” do të jetë dhe kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj. Koncerti do të përfundojë me një spektakël fishekzjarresh, kur akrepat e orës të shënojnë ardhjen e Vitit të Ri.
Kalendari i festimeve nga Bashkia e Tiranës, u bë publik nga drejtoresha e Përgjithshme e Promovimit të Qytetit, Julinda Dhame. Bashkia ka kërkuar nga qytetarët, që të shmangin përdorimin e fishekzjarreve, pasi institucioni është kujdesur për çdo detaj festiv.