8 korrik 2015 – Qeveria ka miratuar dje një vendim, i cili parashikon procedurat, kushtet, afatet dhe kërkesat për privatizimin e banesave shtetërore. Vendimi përcakton procedurat që duhen ndjekur për privatizimin e banesave dhe objekteve të kthyera në fond banese me vendime të organeve të qeverisjes vendore, në pronësi të njësive të qeverisjes vendore dhe të shtetit. Nga ky vendim përfitojnë banorët, që janë sistemuar me strehim, në bazë të autorizimeve përkatëse, të lëshuara nga organet kompetente. Sipas vendimit, njësitë e qeverisjes vendore, për organizimin e punës, të ngrenë strukturën përgjegjëse për shqyrtimin e kërkesave dhe dokumentacionin e depozituar pranë tyre për fillimin e procedurës së privatizimit dhe të përgatitin vendimet për privatizim. Në vendim përcaktohet edhe fillimi i privatizimit të banesave shtetërore. Fillimisht, banorët e pajisur me autorizim nga organet kompetente ose, në rast vdekjeje, të trashëgimtarëve të tij; ose të çdo personi të autorizuar me prokurë, duhet të bëjnë një kërkesë.  

Kërkesa për privatizim   

Sipas vendimit, kërkesa duhet t’i dërgohet me rrugë postare (letër rekomande), Brenda një viti nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij vendimi, njësisë së qeverisjes vendore, në territorin administrativ të së cilës ndodhet banesa. Kërkesa duhet të përmbajë të dhënat, si njësinë e qeverisjes vendore, të cilës i drejtohet, të dhënat personale të subjektit kërkues, të dhënat në lidhje me banesën ose objektin e kthyer në fond banese, për të cilin kërkohet privatizimi dhe datën e kërkesës dhe nënshkrimin e kërkuesit. Kërkesa e depozituar pranë njësisë së qeverisjes vendore duhet të shoqërohet me autorizimin për strehim, të lëshuar nga organet kompetente, certifikatën e gjendjes familjare të 3 muajve të fundit dhe dokumentin e identifikimit të kërkuesit (kartë identiteti dhe/ose pasaportë biometrike).  

Shqyrtimi i kërkesës   

Pas dorëzimit të kërkesës dhe dokumentacionit, të përcaktuara në pikat 4 e 5, të këtij vendimi, njësia e qeverisjes vendore fillon shqyrtimin e tyre. Për prona që nuk janë në pronësi të njësisë së qeverisjes vendore i kërkohet organit shtetëror, që ka pronësinë mbi to, kalimi i të drejtës së pronësisë të pronës, me qëllim privatizimin. Pas marrjes së autorizimit nga organi shtetëror, njësia e qeverisjes vendore vazhdon shqyrtimin e dosjes dhe vendos për: pranimin e kërkesës; refuzimin e kërkesës; kthimin e kërkesës për plotësimin e mangësive në dokumentacion. Sipas vendimit, plotësimi i mangësive nga subjekti bëhet brenda 15 ditëve, nga data e marrjes së njoftimit nga njësia e qeverisjes vendore. Mosplotësimi i mangësive, brenda afatit të përcaktuar më sipër, sjell refuzimin e kërkesës. Subjekti, i cili nuk depoziton kërkesën dhe dokumentacionin e përcaktuar në pikat 4 e 5, të këtij vendimi, apo nuk lidh kontratën e privatizimit brenda afateve të përcaktuara në pikat 4 e 16, të këtij vendimi, humbet të drejtën për të kërkuar privatizimin e banesës në të cilën është strehuar.   

Nënshkrimi   

Kërkesa nënshkruhet edhe nga njësia e qeverisjes vendore dhe mbahet në 3 kopje identike, prej të cilave: një kopje i dorëzohet kërkuesit;  një kopje kalon me dokumentacionin në zyrën vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme;  një kopje vendoset në dosjen e njësisë së qeverisjes vendore.  Për çdo ankim, në lidhje me përllogaritjet e kryera në formularët e përcaktuar në këtë vendim, subjekti ka të drejtë t’i drejtohet, me shkrim, njësisë së qeverisjes vendore. Njësia e qeverisjes vendore ka detyrimin t’i kthejë përgjigje, me shkrim, ankuesit, brenda afateve ligjore, sipas përcaktimeve të Kodit të Procedurave Administrative. Njësia e qeverisjes vendore, në përfundim të shqyrtimit të dosjes për privatizim, vendos pranimin ose refuzimin e saj. Me marrjen e vendimit për pranimin e dosjes për privatizim, subjekti përfitues ka detyrimin të lidhë kontratën e privatizimit me njësinë e qeverisjes vendore, brenda 1 viti nga data e marrjes së këtij vendimi.   

Ja çfarë përmban kontrata për privatizimin e banesave shtetërore   

Njësia e qeverisjes vendore dhe përfituesi lidhin kontratën e privatizimit, në të cilën përcaktohen: palët nënshkruese të kontratës; vlera e tarifës, që i takon të paguajë përfituesi, e llogaritur sipas pikës 11 të këtij vendimi; mënyra e shlyerjes së vlerës së tarifës; mënyra e arkëtimit të vlerës së tarifës; të drejtat e detyrimet e palëve dhe sanksionet përkatëse. Sipas vendimit të qeverisë, kontrata e privatizimit nënshkruhet nga njësia e qeverisjes vendore, në cilësinë e palës që kryen privatizimin, dhe subjekti/subjektet përfituese, sipas nenit 3, të këtij vendimi. Nëse familja nuk paraqitet të lidhë kontratën e privatizimit brenda 2 vjetëve nga regjistrimi i pronës në emër të bashkisë, atëherë banesa mbetet në pronësi të bashkisë, për t’u përdorur për banesë sociale me qira sociale. Vlera totale e privatizimit, e përllogaritur sipas pikës 12, të këtij vendimi, shlyhet nga subjekti përfitues dhe trashëgimtarët e tij, në mënyrë të menjëhershme ose me këste mujore të barabarta, me afat likuidimi deri në 25 vjet, me 2% interes në vit. Lidhur me formën e pagesës së vlerës së kontratës, pagesë e plotë apo me këste mujore, kjo caktohet rast pas rasti, nga njësia e qeverisjes vendore. Në rastin e shlyerjes me këste mujore, kalimi i pronësisë bëhet pas shlyerjes së këstit të fundit, në përputhje me dispozitat e Kodit Civil. Struktura përgjegjëse për ndjekjen dhe zbatimin e kontratës së privatizimit lëshon vërtetimin përkatës, në favor të subjektit përfitues, në përfundim të përmbushjes së detyrimeve kontraktore.  Kontrata e privatizimit bëhet me akt noterial dhe mbahet në 4 (katër) kopje identike, prej të cilave: një kopje e mban noteri; një kopje i jepet subjektit përfitues;  një kopje, së bashku me dokumentacionin, i dërgohet zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme; një kopje arkivohet në dosjen e njësisë së qeverisjes vendore. Shpenzimet noteriale, për lidhjen e kontratës, janë në ngarkim të subjektit që ka aplikuar për privatizimin e banesës. Një kopje e dosjes së privatizimit i dërgohet për regjistrim, nga struktura përgjegjëse e njësisë së qeverisjes vendore, zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Për kontratat e privatizimit me këste mujore, të lidhura sipas pikës 18, të këtij vendimi, njësia e qeverisjes vendore lidh me subjektin/subjektet përfituese kontratë shitjeje me rezervë të pronës, deri në shlyerjen e plotë të vlerës së privatizimit dhe shpenzimeve përkatëse. 

/Gazeta 'Sot'/