Për të dytën natë rradhazi, rrugët e Durrësit janë thuajse të boshatisura. Shumica e banorëve të qytetit bregdetar janë mbyllur në shtëpi, në respektim të masave të marra për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Nëpër rrugë dhe lagje të paktë janë ata që qarkullojnë në këmbë apo me makinat private.

Kujtojmë që nga ora 06.00 e ditës së premte e deri mesnatën e së dielës, askush, përveçse përjashtimeve që parashikohen në vendimin e qeverisë, nuk mund të lëvizë me makinë nëpër qytet.

Fotot që vijnë në redaksinë e DurrësLajm mbrëmjen e sotme nga sheshi “Liria” tregojnë qendrën e qytetit tërësisht të boshatisur, ndryshe nga çdo të ndodhte një mbrëmje të zakonshme pranvere.

Përgjatë gjithë ditës, rrugët e qytetit kishin më pak njerëz dhe më pak lëvizje makinash, ndërsa pjesa më e madhe e qytetarëve lëviznin me maska.

Masat drastike të qeverisë për mbylljen e bareve, lokale, restoranteve, ndërprerja e transportit urban dhe thirrjet e vazhdueshme për të qëndruar në shtëpi dhe shmangur të gjitha lëvizjet e panevojshme duket se i kanë shtyrë qytetarët të mos dalin nga banesat e tyre, përveç daljeve të domosdoshme për të shkuar në punë apo për të bërë pazar.