Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi, së bashku me një grup gazetarësh është ndalur sot te Gjiri i Lalzit, për të parë nga afër se si është duke u zhvilluar turizmi, dhe çfarë ofron e gjithë kjo zonë.

Ndalesa e parë u bë në urgjencën shëndetësore, të hapur enkas për sezonin turistik në afërsi të plazhit, ku punojnë me nga dy turne në 24 orë tre mjeke dhe tre infermierë.

Mjekja Edjona Murati, tha se gjatë një dite në këtë qendër shëndetësore vijnë 8 deri në 10 persona. Sipas saj, ndryshe nga viti i parë kur nisi të ofrohej ky shërbim shëndetësor, këtë vit duket se pushuesit janë më të informuar dhe orientohen më lehtë në gjetjen e qendrës shëndetësore.

“Rastet që kemi trajtuar këtu janë të lehta si pickime nga grerëzat apo bletët, djegie nga dielli, hipertensioni. Në këtë qendër jemi të pajisur me të gjitha medikamentet e nevojshme në raste urgjence si dhe EKG apo edhe oksigjen. Kjo na ka ndihmuar shumë të trajtojmë rastet e urgjencës”, tha Murati. Për rastet e rënda mjekja thotë se bashkëpunohet me spitalin e Durrësit.

Vitet e fundit, rruga nga Gjiri i Lalzit deri te Kepi i Rodonit po përdoret nga të apasionuarit e udhëtimeve me biçikleta. Se çfarë ndjesie të jep një udhëtim i tillë, disa prej gazetarëve e provuan vetë duke përshkuar një pjesë të rrugës me biçikletë. Udhëtimi me gazetarët vijoi drejt pjesës fundore të Kepit të Rodonit për të mbërritur në Kishën e Shna Ndout, një objekt kulti 700-vjeçar, i cili çdo ditë vizitohet nga pushuesit e shumtë vendas dhe të huaj të cilët zgjedhin këtë vend për të bërë plazh.

Pak metra poshtë kësaj kishe ndodhet një plazh i mbushur me pushues nga ku vërehej pastërtia dhe respektimi i asaj që njihet si “stacioni i plazhit”. Kjo zonë u ofron turistëve edhe një atraksion tjetër, Kalanë e Skënderbeut e ndërtuar buzë detit. Nëpërmjet një varke të vogël me motor udhëtimi për të mbërritur në këtë kala merr vetëm 10 minuta.

Ndalesa e fundit, “Agro-turizëm Huqi”, një investim tjetër në këtë zonë i cili gjithnjë e më shumë po tërheq turistë. Një hapësirë e gjerë buzë një liqeni artificial në shërbim të pushuesve duke servirur ushqime tradicionale tërësisht bio.

Brenda një dite në këtë zonë, larmia e aktiviteteve për një turist është e shumëllojtë.