Largimi i markës së njohur të hoteleve "Sheraton" nga Tirana, padyshim që ngriti një seri pikëpyetjesh mes të cilave edhe atë se çfarë do të ndodhte me godinën ku ndodhej ky hotel. "Sheratoni" iku, por hoteli mbeti. Pra, e njëjta godinë do të ofrojë shërbimin e akomodimit dhe faciliteteve të tjera ekzistuese edhe më parë, por nën një emër tjetër që është "MAKTIRANA Hotel and Tower". Madje nën këtë emër e gjejmë të listuar hotelin edhe në "Booking" ku së fundmi bëhet me dije se janë shtuar edhe një seri fotosh të reja që i atribuohen menaxhimit të ri që do të ketë hoteli.

"MAKTIRANA" identifikohet në profilin e saj në "Booking" si një hotel me pesë yje. Ashtu si kompania mëmë e saj ajo ka emërtimin "MAKTIRANA" si pjesë e "MAK-ALBANIA" Sh.p.k degë e "M.A.Al-Kharafi & Sons W.L.L", e cila është aktive në Shqipëri që nga viti 1992.

"Sheraton" nga ana tjetër ishte prej kohësh në tentativa për t’u larguar gjatë 2017-s por njoftimi zyrtar u bë vetëm pak ditë para mbylljes së vitit 2017. Në atë kohë operatorët turistikë reaguan se kjo mund të ishte dhurata më e keqe që i bëhet turzimit për Vitin e Ri. Largimi i markës prestigjioze ndodhi si për ironi në të njëjtën kohë kur qeveria sapo kishte kaluar paketën për nxitjen e investimeve në fushën e hotelerisë nga marka të njohura ndërkombëtare.

"Mak Albania Kompania" mëmë e "Mak Tirana", – që përfshin "Mak Albania Construction", "Chateu Linza", "Mak Travel" dhe deri në fund të vitit të kaluar menaxhonte "Sheraton Tirana Hotels & Towers", ku aktivitetin kryesor të grupit e ka hoteli, – ka rezultuar me një aktivitet të përkeqësuar financiar vitet e fundit. Humbjet e akumuluara në kapital në vite, përfshirë edhe 2016-n, arritën në total në gati 11 miliardë lekë, apo rreth 81 milionë euro. Kompania rezulton se në vite ka shitur gradualisht pronat e saj, me vlerë shumë më të ulët se ajo kontabël apo ajo e investimit fillestar, çka i ka shtuar humbjet.

Në vitin 2014, grupi ka shitur "Hotel Resort" që kishte në Golem te Mali i Robit te grupi Hysenbelliu, për 1.8 milionë euro. Kjo shitje grupi rezultoi me një humbje prej 2.5 milionë eurosh nga vlera kontabël.

Në 2016-n ka shitur "Alfa Butrinti" (hotel Butrinti në Sarandë), për një vlerë prej 820 mijë eurosh, në një kohë që vlera fillestare e investimit kishte qenë mbi 7 milionë euro.

Grupi tre vitet e fundit ka qenë në kërkim të një blerësi edhe për hotel "Sheraton", por pasi nuk gjeti dhe marka e njohur ndërkombëtare vendosi të largohej, po e menaxhon vetë hotelin. Në 2016-n, të ardhurat e "Sheraton" ishin 4 milionë euro, me një rënie me bazë vjetore prej 13.5%, si rrjedhojë e rritjes së konkurrencës së hoteleve në kryeqytet, pas hapjes së "Plaza", shkruan "Monitor".