Në vitin 2015, ministria e Shëndetësisë dhe Fondi i Sigurimeve të Kujdesit të Detyrueshëm Shëndetësor hartuan dhe miratuan 10 paketa shëndetësore. Ato janë të konstatuara dhe tregojnë rrugët se si do të trajtohet secila prej këtyre 10 diagnozave. Premtimi ishte që shumë shpejt të hartoheshin edhe paketat e tjera, por ende kjo nuk ka ndodhur.
Paketa shëndetësore e ofron shërbimin si sistemin publik, ashtu edhe në privat. Shteti rimburson koston e plotë të diagnozës pavarësisht se ku e merr shërbimin pacienti. Si rrjedhim këto paketa janë shndërruar edhe në një burim të mirë të ardhurash për spitalet private. Madje, këto shërbime thuajse janë zhdukur nga sistemi publik në interes të oligarkisë.
“Ne kemi pas në shtet shërbime që u kanë pas ofruar dhe tani nuk ofrohen fare, siç është rasti i transplantit. Paketat u miratuan në 2015, pra 10 vite më parë, dhe mund të shohim që shumë nga këto shërbime që ofroheshin në publik ranë. Pse ranë?”, u shpreh zv. Dekani i Fakulteti të Mjekësisë, Ilir Alimehemti.
Qendra spitalore më e madhe e vendit, QSUT, ka dështuar prej vitesh të realizojë ndërhyrjen e tromb-ektomisë, një procedurë kirurgjikale që heq gjakun e mpiksur nga arteria e bllokuar në tru. Ky skandal i denoncuar edhe me herët nga Inside Story, ende nuk ka marrë zgjidhje.
Si pasojë pacientët që pësojnë goditje në tru mund të shtrohen në QSUT, por nëse duan të realizojnë këtë ndërhyrje jetëshpëtuese duhet ti drejtohen Spitalit Amerikan. Këtë histori e bën më skandaloze fakti që aty shërbejnë mjekë të cilët janë trajnuar në sistemin publik dhe do të duhej ta kryenin këtë ndërhyrje pikërisht në QSUT.
Mesatarisht ndërhyrja kushton nga 18-20 mijë euro. Këtu, nuk llogariten ditët e shtrimit që kushtojnë qindra euro për çdo ditë pa përfshirë medikamentet. Kush nuk posedon këtë shumë të majme, do të shkojë drejt vdekjes për një shërbim që është orientuar qëllimisht në rrjetin spitalor të zotëruar nga biznesmeni Klodian Allajbeu.
Transplanti i veshkave është një tjetër ndërhyrje e zhdukur nga spitalet publike. Në vitin 2022 dhe 2021 janë realizuar 36 transplante, të gjitha në privat, Konkretisht tek spitali Amerikan dhe Hygeia. Referuar çmimit të vendosur nga Fondi kjo paketë kushton rreth 1.2 mln lekë për çdo person, që në këtë rast realizohet vetëm në privat, pavarësisht se shteti ka investuar miliona euro për sallën e transplaneteve. Pra, paratë shkojnë drejt të njëjtës dorë në sistemin privat.
Por, nuk mbaron me kaq. Dializa, është shërbimi i kthyer në një minierë ari për privatët. Siç edhe shihet nga ky raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit në vitin 2022 janë realizuar 193,878 seanca hemodialize në total, nga të cilat vetëm 5.5 % në sistemin publik, ose 10,766 seanca. 119,830 seanca të dializës janë realizuar nga spitalet private që janë Spitali Amerikan dhe Hygeia.
Të dyja së bashku, spitalet e zotëruara nga Klodian Alajbeu kanë mbuluar 61.8 % të totalit. 32.7 % e rasteve të tjera janë ofruar nga koncensionari Dia Vita SHPK, edhe kjo e themeluar dhe zotëruar nga Allajbeu, pavarësisht disa transaksioneve vitet e fundit për shitblerje-aksionesh. Lëvizje që ndoshta kanë pasur synim fshehjen e gjurmëve ndaj investigimeve të Autoritetit të Konkurencës.
Sipas një raporti të këtij institucioni, që ka marrë në shqyrtim ofrimin e paketave shëndetësore deri në vitin 2019, shihet se qëkur nisi paketa e Dializës, tregu është zhvendosur drejt spitaleve private.
Tregu i shërbimit të dializës ka një përqendrim te lartë duke i dhënë karakteristikat e një tregu oligopolistik. Treguesit e përqendrimit paraqitjet me ulje gjatë vitit 2017; 2018 dhe 2019, por pjesa e tregut e tre konkurrentëve më të mëdhenj në treg është duke u rritur. Nga struktura e tregut, konstatohet se shërbimi i dializës po zhvendoset drejt spitaleve jopublike dhe shoqërisë koncesionare ndërkohë që ne spitalet publike ofrohet vetëm pranë QSUT-së.
Ky përqendrim do të thotë edhe para të siguruara lehtë, pasi ato paguhen nga fondi i sigurimeve dhe kujdesit shëndetësor, pra nga taksat tona./Top Channel





