Pamjet e kamerave të sigurisë kanë ndihmuar prokurorinë në zbardhjen e dinamikës së vrasjes të Asllan Kërtushës nga dy autorët e dyshuar Gëzim e Bledar Kajno. Pamjet filmike kanë nxjerrë dhe një detaj të ri rreth ngjarjes së rëndë, ku 30-vjeçari pasi mbeti i plagosur, është tentuar edhe të vritet nga dy autorët. Viktima kishte hipur në një taksi për t’u larguar nga vendi ku ndodhi plagosja, por Gëzim dhe Bledar Kajno e godasin sërish me grushte e shqelma dhe tentojnë që ta nxjerrin nga taksia.
Fillimisht u dyshua se vrasja e Kërtushës mund të kishte si motiv pikërisht arrestimin e mikut të tij Denis Shtrazën, i dyshuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut, pasi Shtraza dhe Kërtusha janë miq mes tyre. Por kjo pistë u hodh poshtë nga hetimet e para të prokurorisë, dëshmitë e mbledhura dhe pamjet e kamerave të sigurisë së lokalit ku ndodhi ngjarja.
Në bazë të veprimeve procedurale të deritanishme rezulton se viktima Kërtusha, mesditën e 1 marsit ka qenë duke konsumuar pije alkoolike në lokalin e shtetasit Gëzim Kajno.
Rreth pasdites, në gjendje të rënduar për shkak të alkoolit, ai ka nisur të fyejë dhe ofendojë kamerierët e lokalit, të cilët kanë njoftuar pronarin, Gëzim Kajnon.
Ky i fundit është afruar në lokal, së bashku me nipin e tij Bledar Kajno dhe kanë tentuar ta qetësojnë shtetasin Kërtusha, i cili gjendej në ambientet e brendshme të lokalit.
Pasi kanë diskutuar së bashku në tavolinë, Kërtusha dhe pronari i lokalit, Gëzim Kajno, kanë dalë në ambientet e jashtme të lokalit, ku kanë filluar të grinden fizikisht. Kjo situatë është fiksuar edhe në kamerat e sigurisë së lokalit.
Nga këqyrja e pamjeve filmike duket shtetasi Gëzim Kajno që, pas konfliktit fizik, ka një armë tip pistoletë në dorë, me qytën e së cilës godet në kokë dhe në fytyrë Kërtushën.
Nga goditja me qytë, pistoleta ka kryer qitje, nga e cila ka mbetur i plagosur në krah nipi i Gëzimit, Bledar Kajno.
Më pas, konflikti shmanget nga objektivi i kamerës. Në një moment të dytë, personat në konflikt shfaqen sërish në kamerën e sigurisë, kësaj radhe pranë një taksie, ku Kërtusha po tentonte të hipte dhe duket që ishte i plagosur.
Te dera e taksisë, shtetasit Gëzim dhe Bledar Kajno e arrijnë sërish dhe e godasin sërish, duke tentuar ta nxjerrin nga taksia.Megjithatë, taksia është nisur së bashku me Kërtushën drejt spitalit të Durrësit, ku dhe ndërroi jetë.
Pas vrasjes, fillimisht është arrestuar shtetasi Bledar Kajno dhe një ditë më pas Gëzim Kajno. Gjykata e Durrësit ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për Bledarin dhe burg pa afat për Gëzimin, të cilët akuzohen për “vrasje me dashje në bashkëpunim” dhe “armëmbajtje pa leje”.





