DURRËS, 11 gusht 2014 –  Mediat italiane kanë dhënë alarmin për mungesën e menaxhimit të fluksit të pasagjerëve nga Bari për në Shqipëri e Greqi. Ato fajin ia vënë si kontrolleve të shumta shpesh herë të panevojshme të policisë por edhe corganizimit flagrant të Autoritetit Portual të Portit të Barit. Theksohet nisja me vonesë e trageteve sidomos për në Durrës. Në sitet italiane vërehet se në korrik tragetet niseshin me një orë vonesë, ndërsa tani në pikun e sezonit, pikërisht ditën e Shën Lorencos tragetet janë nisur me 5-6 orë vonesë. Mediat italiane u qajnë hallin pasagjerëve kryesisht shqiptarë, por jo vetëm, se heqin të zitë e ullirit qoftë për tu imbarkuar në Portin e Barit, por edhe gjatë udhëtimit deri në Durrës. Tragetet janë të vjetër, të keq mirëmbajtur, ndërsa kapiteneria e Portit të Barit ndonjëherë mbyll një sy për mbingarkim të pasagjerëve në tragete duke shkelur kështu normativat evropiane në fuqi. Asnjëherë agjensitë detare nuk kanë zbatuar normativën evropiane për rimbursmin e biletave të udhëtarëve, kur tragetet vonohen mbi 4 orë pa pasur ndonjë pengesë për shkak të forcës madhore. Nëse ato do të rimbursonin biletat Autoriteti Portual i Portit të Barit do të ishte i detyruar tu paguante dëmshpërblim agjensive detare si shkaktar i këtyre vonesave. Vetëm një pagesë e tillë dëmshpërblimi do ta detyronte burokracinë e autoriteteve portuale të ndryshonte metodat e punës, sidomos gjatë pikut veror.

/gj. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/