Gjykata e Durrësit ka vendosur sot masën e sigurisë arrest me burg për tre të arrestuarit të dyshuar si vrasës me pagesë.

Gazmend Dervishi, Bruno Shehu dhe Dritan Nikolli u arrestuan tri ditë më parë nga policia e Durrësit, pasi dyshohet se do të kryenin një ngjarje të rëndë kriminale në zonën e Maminasit.

Më poshtë vendimi i gjykatës së Durrësit:

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, në seancën gjyqësore të datës 22.01.2016, ora 12:30, shqyrtoi kërkesat për vleftësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurimit personal për të arrestuarit Bruno Shehu, Gazmend Dervishi dhe Dritan Nikolli, akuzuar për veprën penale të parashikuar nga neni 78,22,25 dhe 278/5 të Kodit Penal.

Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor gjykata vendosi:

Të vlerësojë të ligjshëm arrestin në flagrancë të të arrestuarve Gazmend Dervishi, Bruno Shehu dhe Dritan Nikolli të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim” të mbetur në tentativë kryer në bashkëpunim, dhe  të “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, të parashikuar nga nenet 78,22,25 dhe 278/5 të Kodit Penal.

Të caktojë si masë sigurimi personal ndaj të dyshuarve Gazmend Dervishi, Bruno Shehu dhe Dritan Nikolli, atë të “arrestit në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit Penal.