Pak ditë më parë ndërroi jetë aktori i humorit, i vlerësuar me titullin "Artist i Merituar", Fadil Hasa.
Ai njihej gjithashtu dhe si një anëtar dhe mbështetës i hapur i Partisë Demokratike, që në themelimin e saj.
Aktorja Aishe Stari, e cila njihej me Hasën që prej gjimnazit ndërsa kishin interpretuar së bashku në shumë shfaqje, ka rrëfyer në një intervistë për "Panorama", se pas humbjes së PD-së në zgjedhje Fadil Hasa vendosi të mos dilte më në skenë dhe pavarësisht kërkesave të kolegëve, i qëndroi këtij vendimi deri në fund.
"Fadilin nuk e largoi njeri nga skena, deshi dhe u largua vetë. Prej vitesh mbajti një qëndrim partiak dhe mendoj që bëri gabim.
Ai apo kushdo tjetër mund të jenë të lirë të zgjedhin kahun e tyre në politikë, por nuk kanë pse e lënë të ndikojë në profesionin e tyre. politikan mund të bëhet kushdo sot, artist jo.
Kur humbi PD, dha dorëheqjen, "nuk dal më në skenë", tha, dhe ashtu bëri. Sa herë i kam thënë të kthehej, nuk bindej", tregon aktorja Aishe Stari.