Dyshohet se dosja hetimore që kanë të bëjë me tjetërsimin e pronave në Ishëm ku janë të përfshirë ish-zyrtarë, të jetë vjedhur gjatë natës së kaluar në Prokurorinë e Durrësit.

Sipas asaj që raportoi “DurrësLajm” më herët, dyert e jashtme të prokurorisë nuk janë dëmtuar, por ato brenda institucionit, dhe bëhet fjalë pikërisht për atë të zyrës së prokurorit Afrim Shehu, i cili ka disa dosje nën hetim. Një prej këtyre dosjeve është ajo e Ishmit, ku u arrestuan zyrtarë të lartë për tjetërsim pronash dhe kontrata qiraje të plazhit, mes tyre edhe ish-kreu i komunës. Po kështu është vjedhur edhe zyra e një oficeri të policisë gjyqësore.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur inspektorët e krimeve, shefi i Komisariatit të Durrësit Saimir Duro, të gjithë prokurorët, të cilët janë duke kontrolluar nga ana e pasme e prokurorisë, nga ku dyshohet se kanë hyrë dhe hajdutët.

Dyshohet se autorët janë futur nga kabina elektrike që ndodhet pas prokurorisë dhe më pas kanë kaluar në dritaret e tualetit të objektit. Vjedhja ka ndodhur në zyrat e katit të katërt dhe të pestë.

Drejtueses së re të Prokurorisë së Durrësit, Anita Jella, i duhet të zbardhë tashmë dy vjedhje të ndodhura brenda muajit maj, për të rikthyer besimin e prokurorëve dhe qytetarëve tek institucioni që ajo drejton.