Hetimi i prokurorisë së Kavajës që zbuloi 36 hektarë tokë shtetërore e cila është vjedhur nëpërmjet dokumenteve falso nga zyrtarë dhe ish-funksionarë të Shtetit, është ndihmuar dhe nga një kallëzim i bërë nga Krytari i Këshillit të Qarkut Tiranë Aldrin Dalipi.
Dalipi zbuloi se në emër të tij ishin firmosur dhe vulosur dy dokumente dhe e kallëzoi rastin në Prokurori në nëntor 2016, shkruan sot “Shqiptarja.com”. Verifikimet dhe më pas ekspertiza e prokurorisë, zbuluan se vula dhe firma e përdorur ishin false, ndërkohë që nuk kishte ekzistuar asnjë korrespondencë e mëparshme mes ZVRPP-së së Kavajës dhe Këshillit të Qarkut në Tiranë për këtë çështje.
Kallëzimin Dalipi e ka depozituar fillimisht në prokurorinë e Tiranës dhe më pas ky kallëzim i është bashkuar hetimit që prokurorët e Kavajës kishin nisur për vjedhjen e tokës shtetërore në plazhin e Spillesë. Ndërkohë prokurorët paralajmërojnë se për këtë çështje në ditët në vijim do nisin një hetim për “Pastrim të produkteve të veprës penale”.
Dalipi ka qenë zyrtari i vetëm që ka kallëzuar këtë skandal me trojet në Spille, skandal i cili pak ditë më parë u materializua nga policia dhe prokuroria e Kavajës me arrestimin e 11 personave, me të cilëve ish-zyrtarë dhe funksionarë të hipotekës, komunës Kryevidh dhe prefekturës Tiranë.





