Jadon Sancho është gati të shpëtojë nga makthi i tij Manchester United. Talenti anglez ka pranuar rikthimin te Borussia Dortmund thuhet me formulën e huazimit deri në fund të sezonit. 

Sulmuesi i krahut, i cili u transferua në Old Trafford për 75 milionë sterlina në verën e vitit 2021, e ka gjetur veten në tribunë në sezonin 2023-2024. 

I akuzuar nga trajneri Erik ten Hag se ka qenë posht standardeve të kërkuar në stërvitje, Sancho nuk ka luajtur për United që nga 26 gushti dhe është detyruar të stërvitet me ekipin e të rinjve.

Sipas gazetës Bild, një rrugëdalje është gjetur në merkaton e janarit. 

Pretendohet se Sancho do të kthehet në Bundesliga për një marrëveshje afatshkurtër që do t’i kushtojë Dortmundit vetëm 2.6 milion sterlina dhe do t’i lejojë 23-vjeçarit të rifillojë karrierën e tij profesionale në një mjedis të njohur.

Sugjerohet që disa detaje të vogla tatimore duhet të arrihen përpara se Sancho të jetë i lirë të largohet nga Manchester United.

Ai do të mund të bashkohet me Dortmundin në kampin e tyre stërvitor dimëror në Marbella të premten – përpara se Borussia të zhvillojë një takim miqësor me AZ Alkmaar të shtunën.

Sancho regjistroi 50 gola dhe 64 asiste për Dortmundin në 137 paraqitje, përpara se të kalonte te United, ku shënoi vetëm 12 gola në 82 paraqitje.