Së shpejti do të kemi jahtin luksoz “Made in Albania”. Është një anije e përdorur në marinën polake dhe që shërbeu në detin e Veriut dhe në detin Balltik si akullthyese, e cila u gjet në Hollandë. Por e venitur nga bukuria e dikurshme, ajo u soll në Shqipëri nga një ekip arkitektësh dhe dezinjuesish italianë.
Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Eduard Shalsi nga Porto-Romano ka dhënë lajmin, teksa shpjegon më tej se projekti “Hibrid 1962” ka mundësuar ridizenjimin e formës dhe ristrukturimin nga ana inxhinierike të anijes së vjetër e të amortizuar, me qëllim shndërrimin e saj në një jaht luksoz, elegant dhe modern.
“E vizitova kantierin në Porto-Romano ku zanatçinjtë shqiptarë po punonin intensivisht dhe ekipi italian më tregoi për projektet në të ardhmen dhe problematikat e hasura.
Në Festivalin e Jahteve që do të zhvillohet vitin e ardhshëm në Kanë të Francës, besoj do të kemi për herë të parë një jaht “Made in Albania””, shkruan Shalsi.





