Jahti superluksoz “Vibrant Curiosity”, në pronësi të sipërmarrësit gjerman Reinhold Würth, është ankoruar në portin e Durrësit pasditen e sotme, ku është furnizuar me rreth 110 mijë litra naftë. 

“Vibrant Curiosity” është një ndër superjahtet më të veçantë që lundrojnë në ujërat ndërkombëtare, i njohur për përmasat e mëdha dhe luksin që ofron. 

Prania e këtij superjahti në portin e Durrësit konfirmon edhe njëherë rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të këtij porti në hartën e lundrimit luksoz në Mesdhe. Prej disa vitesh porti i Durrësit frekuentohet në masë të madhe nga superjahtet luksoze për shkak të furnizimit të tyre me nafte pa akcizë. Sezonin e kaluar turistik, në portin më të madh në vend ndaluan të furnizoheshin me karburant disa nga mjetet lundruese më luksoze të miliarderëve të botës.

Porti i Durrësit vazhdon të mbetet një nga destinacionet më të preferuara në rajon për jahtet dhe superjahtet, jo vetëm për shkak të pozicionit gjeografik, por edhe falë shërbimeve dhe lehtësirave që ofrohen.