Durrës, 11 maj 2014 – Jak Mandrea është një ushtarak në pension, i cili për vite me radhë ka punuar në flotën detare si zëvendës komandant dhe më pas komandant nëndetëse. Ai ka një arsim të kompletuar në fushën ushtarake, fillimisht në shkollën e “skënderbegasve” dhe më pas në shkollën e lartë të drejtimit në Baku të Bashkimit Sovjetik, sot Azerbajxhan. Jak Mandrea sjell kujtime nga koha e marrëdhënieve të mira me rusët, vitet e shkollës ku fillimisht studentët shqiptarë ishin të privilegjuar deri në momentin e acarimit të marrëdhënieve, acarimi me oficerët rusë, sabotazhi i tyre i qëllimshëm ndaj tre nëndetëseve, shpëtimi i njërës prej nëndetëseve nga një mekanik shqiptar si dhe incidenti i rëndë nga shpërthimi i hidrogjenit në nëndetësen e katërt në vitin 1967, ose siç njihet ndryshe nga ekranizimi i ngjarjeve të kohës, nëndetësja 105.
Shkolla në Baku
Jak Mandrea së bashku me katër studentë të tjerë shqiptarë kanë qenë pjesë e grupit të dytë që shkuan me bursë për të ndjekur kursin e plotë të studimeve në shkollën e lartë të drejtimit në Baku në vitin 1953. Bashkë me Skënder Doçin, Aleko Pojanin, Beqir Gërbin dhe Shezai Kasaj kishin mbaruar shkëlqyeshëm shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej” në Tiranë dhe shteti shqiptar u akordoi bursë për vazhdimin e studimeve të larta në ish-Bashkimin Sovjetik, në Baku. Duhet thënë se në këtë shkollë kanë mbaruar studimet afro 80 për qind e gjithë oficerëve shqiptarë të marinës. Ajoishte një shkollë mjaft e njohur në ish-Bashkimin Sovjetik. Studentët shqiptarë kanë qenë mjaft të përgatitur, madje disa prej tyre kanë dalë me medalje ari dhe patën privilegjin që emrat e tyre të gdhendeshin në pllakën prej mermeri që gjendej në hollin e shkollës. Ata janë ushtarakët Petrit Myftiu dhe Petrit Hysi, të cilët kanë qenë të vetmit në këtë shkollë që kanë arritur rezultate të tillë në gjysmën e dytë të viteve ’50. Por edhe pesë studentët e tjerë të grupit të dytë, Mandrea, Doçi, Pojani, Gërbi dhe Kasaj mbaruan shkëlqyeshëm. Studimet në këtë shkollë zgjasnin pesë vjet dhe aty kishte studentë nga shumë vende të tjera, si Rumania, Bullgaria, Kina etj. Studentët shqiptarë trajtoheshin shumë mirë, më të privilegjuar se të tjerët, të paktën deri në kohën që Shqipëria ishte pjesë e Traktatit të Varshavës.
Kthimi në atdhe dhe dublimi me rusët në Pashaliman
Në vitin 1958, një pjesë e studentëve shqiptarë që mbaruan me rezultate të shkëlqyera u emëruan në bazën e nëndetëseve në Pashaliman. Këtë vit erdhën katër nëndetëset nga kantieri rus i Sevastopolit, për të cilën do të kishte shumë acarime midis ekuipazheve dublante, rusë dhe shqiptarë. Për të qenë të aftë në drejtimin e nëndetëseve, në Sevastopol kanë shkuar katër ekuipazhe shqiptare me komandantin e brigadës së nëndetëseve Xhemal Shani, ku bënë 6 muaj kurs. Nga ana tjetër pjesë e ekuipazheve të këtyre nëndetëseve në fillim kanë qenë ushtarakët Petrit Myftiu, Aleko Pojani, Jak Mandrea, Beqir Gërbi, Skënder Doçi etj, të cilët shumë shpejt do të bëheshin komandantë të katër nëndetseve. Katër nëndetëset që erdhën në vendin tonë nisën të drejtoheshin nga oficerë rusë dhe shqiptarë, ndërkohë që përgatitja ishte e lartë, si nga oficerët rusë, ashtu edhe ata shqiptarë. Jak Mandrea kujton në marrëdhënie me oficerët rusë se me ta shkonim mirë, madje kishim marrëdhënie shoqërore dhe kryenim vizita tek njëri-tjetri. Oficerët rusë ishin vendosur në Vlorë bashkë me familjet e tyre, por jeta e tyre ishte shumë e mirë, në Vlorë në atë kohë kishte një jetë të gjallë dhe të larmishme, që nga mbrëmjet e vallëzimit që bëheshin çdo natë, ambiente argëtimi dhe sportive të shumta që ishin në shërbim të oficerëve, të ardhur nga larg. Ekuipazhi i dubluar nga rusë dhe shqiptarë dilte bashkë në lundrim, bënin qitje me silurë dhe çdo gjë ka qenë normale deri në fillimin e acarimeve.
Acarimet dhe prishja me rusët forcuan përgatitjen e oficerëve shqiptarë
Problemi në marrëdhëniet midis dy vendeve ka qenë me shumë pasoja për oficerët shqiptarë të bazës së nëndetëseve. Oficerët që ishin bashkë në nëndetëse nuk hynin në dialog politik në kohën që filluan të shfaqeshin problemet. Ato më shumë nxiteshin nga oficerë të vjetër, apo nga ata që kishin mbaruar shkollën vite më parë. Jak Mandra kujton për këtë kohë se një gjë ishte e sigurt: “Ne mbronim interesat e shtetit tonë, sepse ashtu ishim gatuar dhe frymëzuar, ne ishim profesionistë në këtë drejtim”. Një fakt tjetër i rëndësishëm në këtë periudhë duhet thënë se ka qenë mosha shumë e re e oficerëve shqiptarë që u bënë komandantë të nëndetëseve. Kjo moshë varionte nga 22-27 vjeç. Duke qenë se tentativat e shumta të palës ruse për sabotazh dhe marrjen e katër nëndetëseve dështuan, komandantët e rinj të nëndetëseve si dhe oficerët e tjerë do të duhej të përballeshin me drejtimin e nëndetëseve tashmë të vetëm. Nuk ishte e lehtë të drejtoje një nëndetëse, të kryeje manovra, apo dhe qitje me të, për atë kohë ka qenë mjaft e vështirë.
Sabotazhi dhe tentativa për marrjen e një nëndetëse
Jak Mandra tregon se në ikje e sipër rusët dëmtuan rëndë tre nëndetëse të bazës në Pashaliman. Ata shpuan trupin kryesor të tyre, çka sillte që nëndetëset të mos rezistonin presionin e ujit në thellësi më të madhe se 30 metër. Trupi i tyre përbëhej nga metal special dhe arrinte që të ishte rezistent deri në 180 metër thellësi. Në të tre nëndetëset, oficerët rusë kanë hedhur lëng të rrezikshëm (acid të fortë) dhe shpuan trupat e tyre. Kur ikën oficerët rusë i paralajmëruan kolegët e tyre shqiptarë. Ndonëse një pjesë e tyre donin me mjaft dëshirë që të sabotonin gjithçka në bazën e nëndetëseve, oficerëve shqiptarë iu thanë: Kujdes, se do mbyteni! Paralajmërimi ishte serioz, pasi komandanti i flotës në atë kohë, admirali Avdi Mati dha urdhër që asnjë nëndetëse nuk duhej të zhytej më shumë se 30 metër, për asnjë rrethanë. Ky urdhër realisht ka qenë një nga urdhrat më të mençur, siç e gjykojnë sot ushtarakët në pension të marinës, pasi ka shpëtuar jetën e ekuipazheve të nëndetëseve në atë periudhë. Më pas filloi puna për riparimin e dëmeve që kishin bërë rusët. Jak Mandrea në atë kohë ka qenë komandant i nëndetëses së dytë, pas shumë punësh dhe kërkimi defektet u gjetën dhe u riparuan me ndihmën e specialistëve kinezë. Kjo ka qenë akuza më e rëndë ndaj rusëve nga kolegët shqiptarë, pasi nuk kishte lidhje me politikën midis dy vendeve. Rusët vodhën edhe goditësit e silurëve duke çarmatosur komplet nëndetëset që gjendeshin në bazë.
Motoristi Hysni Peku që riparoi nëndetësen nga defekti
Një nga nëndetëset e bazës ka pasur shumë gjasa që të çohej për riparim në Sevastopol, por ideja ishte që ajo të mos kthehej më. Duke pasur një defekt në një nga kushinetat e saj, oficerët rusë vendosën që nëndetësja duhej të shkonte në kantierin e Sevastopolit, sepse vetëm aty mund të riparohej. Ky ishte vetëm “sebepi”, sepse qëllimi ishte që ajo të mbahej aty përgjithmonë. Shpëtimtari i kësaj situate ka qenë motoristi Hysni Peku. Jak Mandrea në atë kohë ka qenë zëvendëskomandant i nëndetëses së dytë, kurse komandant ishte Skënder Doçi. Kushineta që kishte defekt bënte masë dhe digjej, duke mos lejuar që motori të punonte normalisht. Bëhej fjalë për një kushinetë me diametër 1.7 metër, e cila nga defekti rriste gjithmonë temperaturën. Motoristi Hysni Peku doli garant se mund ta riparonte këtë defekt. Ai mori edhe dy marinarë të tjerë dhe me axhustim të hollë ia doli ta rregullonte kushinetën. Pas montimit të saj, erdhi radha e provës. Nëndetësja doli në lundrim, u zhyt në thellësi 30 metër dhe për tre orë nuk pati asnjë problem. Rusët u zverdhën nga “suksesi” i oficerëve shqiptarë, të cilët kishin një arsye të fortë për të festuar.
Vështirësitë e para dhe lundrimi pa dublantët rusë
Duke qenë se oficerët shqiptarë ishin të gjithë të rinj dhe pa shumë përvojë, ikja e rusëve përbënte edhe një “frikë” nëse ata do të ishin të zotë për mbajtjen dhe drejtimin e nëndetëseve të vetëm. Pasi gjithçka me rusët kishte marrë fund, për më shumë se një muaj nëndetëset janë kontrolluar në mënyrë të imtë. Zhytja e parë pa rusët ka qenë me emocione të mëdha, kujton Jaku. “Më dridheshin duart kur mbylla kapakun e nëndetëses, kjo na bëri që të piqemi më herët se sa duhej dhe të bëhemi seriozë. Prishja me rusët, për mua personalisht, ishte pozitive, sepse në u bëmë të pavarur. Të kishe nëndetëse në atë kohë për mua ishte fat i madh. Ne arritëm të lundrojmë, të stërvitemi dhe më e rëndësishmja, të mos mbytemi”. Më pas filloi edhe remonti i mesëm i katër nëndetëseve, i cili u mor përsipër nga specialistët e ardhur nga Kina. Ishte koha e Revolucionit Kulturor dhe marrëdhëniet Shqipëri-Kinë sapo kishin filluar të lulëzonin.
Incidenti në nëndetësen e katërt nga shpërthimi i hidrogjenit
Specialistët kinezë në bashkëpunim me ekuipazhin shqiptar në nëndetëse ishin në fund të punës për remontin e tyre. Ishte nëndetësja e katërt dhe e fundit që po riparohej, madje ishte dita e fundit e punës. Bëhej fjalë për nëndetësen e katërt, ndryshe nëndetësja 105 siç njihet në filmin “Ballë për ballë”. Me këtë nëndetëse u bë lundrim gjithë ditën dhe përfundimi i punës përkonte me një festë kineze. U vendos që të bëhej edhe një lundrim të nesërmen, i cili do ishte në fakt testi përfundimtar për gjendjen teknike të nëndetëses së fundit. Para lundrimit duhej bërë karikimi i baterive të nëndetëses. Ky proces bëhej me çkarikim të thellë, proces që zgjaste 22-24 orë. Ishte një proces mjaft i vështirë dhe duhej kujdes i madh. Nëndetëset që ishin në bazën e Pashalimanit kishin nga 224 elementë bateria secila me peshë 620 kg. Në total, bateritë e një nëndetëse kanë një peshë prej 130 ton dhe janë të vendosura në dy gropa në trupin kryesor. Me anë të baterive nëndetëset arrijnë shpejtësinë 30 km në orë nën ujë, ndërkohë që këto bateri prodhojnë dhe shumë hidrogjen. Atë natë para lundrimit të fundit, shumë gjëra u neglizhuan, duket se marinarët i zuri gjumi duke mos e ndjekur me korrektësi procesin e karikimit të baterive. Kjo solli që në dy gropat ku ishin bateritë të akumulohej shumë hidrogjen. Sipas llogarive që u bënë më pas, mendohej se në këtë ambient të nëndetëses niveli i hidrogjenit ishte 9-12 për qind, kur dihet se hidrogjeni në masën 6 për qind shpërthen. Po në gropat e baterive nëndetëset kishin aparate speciale që e digjnin hidrogjenin e pakët që akumulohej, duke mbrojtur nga shpërthimi nëndetësen. Ishte një metal i rrallë special që përdorej për këtë proces. Kishin mbetur edhe dy bateri të takuara, që nuk e kishin përfunduar procesin e karikimit. Duke qenë se ato nuk kishin përfunduar, metali special ishte skuqur. Kjo nuk ishte vënë re nga marinarët dhe në mëngjes, një nga pjesëtarët e ekuipazhit të nëndetëses së katërt u ngrit dhe siç ishte i përgjumur, në vend që të ulte siguresën, hoqi kabullin. Rruazat e metalit special që ishin të skuqura ranë mbi gropën e baterive dhe hidrogjeni shpërtheu.
Vdekja e tre marinarëve
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në 31 mars të vitit 1967. Jak Mandrea kujton se ka qenë ora 05.10. “Isha në gjumë kur u dëgjua shpërthimi, vala goditëse ishte e tmerrshme. Kemi qenë me fat që nuk kishte silurë, sepse do të ishte një katastrofë e vërtetë”. Shpërthimi i hidrogjenit shkaktoi menjëherë vdekjen e tre marinarëve, njëri nga të cilët ishte në gjumë (Ruhi Hallkaj). Dy të tjerët vdiqën nga presioni i lartë dhe nga gazi karbonik. Temperatura në vendin e shpërthimit arriti menjëherë në mbi 1000 gradë celsius, aq e madhe ishte ajo saqë më vonë pamë se kishin shkrirë edhe servisët e argjendit të lugëve dhe pirunëve që kishte nëndetësja. Një marinar tjetër presioni i madh e nxori sipër nëndetëses dhe e hodhi në një lartësi 15 metër. Ai ra në ujë dhe shpëtoi, bashkë me katër marinarë të tjerë të ekuipazhit. Ky marinar u bë shumë shpejt edhe pjesë e historive komike që nisën të tregoheshin në bazë. Duke qenë se presioni i madh e hodhi në det, ai u plagos dhe u dërgua me urgjencë në spitalin ushtarak. Nga presioni njëra anë e fytyrës së marinarit mbeti e zezë edhe për mjaft vite të tjera. Atij iu caktua një dhomë e veçantë dhe u cilësua si hero në incidentin që ndodhi në nëndetëse. Shumë ushtarakë të lartë të vendit interesoheshin për shëndetin e tij, duke e marrë në telefon. Midis tyre i interesuar ka qenë edhe ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku. Një nga kolegët e tij shkon për ta parë në spital dhe me shaka i thotë: Bravo, nxive faqen tënde, por zbardhe faqen e partisë! Historia tregohej për shumë vite në radhët e oficerëve të marinës në Pashaliman.
Marrja e përgjegjësive nga specialistët kinezë
Vdekja e tre marinarëve dhe plagosja e pesë të tjerëve ishte një ngjarje e rëndë, e cila në kushte të tjera do të kishte vënë para përgjegjësisë shumë oficerë shqiptarë. Në fakt, ngjarja erdhi si rezultat i gabimeve njerëzore, nga lodhja dhe stërmundimi i marinarëve. Komisioni i punës që u ngrit për këtë ngjarje bëri një analizë të hollë dhe pas porosisë së Enver Hoxhës që “asnjë oficer të mos dënohet”, situata u kalua vetëm me ulje në detyrë. Specialistët kinezë në fakt morën përgjegjësitë e tyre duke qenë se remonti i nëndetëseve nuk kishte mbaruar. Ata morën përsipër ta rindërtonin nga e para nëndetësen e katërt duke e bërë në gjendje më të mirë se më parë. Dëmi që u shkaktua në këtë nëndetëse mendohet se për atë kohë ishte rreth 1 miliard lekë. Të gjitha shpenzimet u morën përsipër nga pala kineze, e cila në këtë kohë kishte zëvendësuar tërësisht rolin e rusëve në bazën ushtarake të Pashalimanit.
Rikthimi pas 50 vitesh
Jak Mandrea tashmë është pensionist. Ai ka krijuar lidhje me shumë marinarë nga Azerbajxhani që vijnë me anijet e tyre në portin e Durrësit. Një prej tyre e ka ftuar në Baku, qytet në Azerbajxhan, vend në të cilin para 50 vitesh ka përfunduar shkollën e lartë të marinës luftarake Jaku. Në maj të vitit 2008 ai udhëtoi në Baku bashkë me djalin e tij me ftesë të drejtorit të përgjithshëm të flotës tregtare, Aidin Bashiro. Pritja e tij në shkollën ku ai kreu studimet në vitet 1953-1957 u bë me superlativa. Në aeroport ishte shkruar me germa të mëdha: “Mirëserdhe admirali i flotës”, duke e tepruar sigurisht, sepse nuk ka qenë me gradë të tillë. Në shkollë u prit me ceremoni dhe roje nderi, ndërsa drejtori i shkollës dhe stafi i saj janë habitur, kur pas 50 vitesh një ish student i saj ka treguar shumë detaje nga historia e kësaj shkolle. “Jam 73 vjeç, por kam ardhur këtu si 23 vjeçar, njëlloj si në atë kohë kur isha student”,- tha Mandrea. Në këtë shkollë kanë mbaruar studimet afro 100 shqiptarë që u bënë drejtues të flotës, komandat dhe zëvendëskomandantë të nëndetëseve.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





