DURRES, 01 mars 2013 – Mbrojtësi Akil Jakupi e konsideron jetike përballjen Teuta-Besa për ecurinë e skuadrës së tij, ndërsa pohon se për ekipin e tij nuk ka alternativë tjetër përveç fitores. Në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve “Dyrrah”, Jakupi foli në lidhje me derbin dhe ecurinë e skuadrës. Sipas mbrojtësit, Teutën e pret një ndeshje shumë e vështirë, por që do të fitohet prej saj.
“Përpara kemi një ndeshje shumë të rëndësishme, prej së cilës presim vetëm fitore. Për ne kjo sfidë do të jetë përcaktuese, prandaj do të kërkojmë të marrim maksimumin prej saj. Ashtu sikur kanë pohuar kolegët e mi të skuadrës, Teutën e presin dhjetë finale. Ne jemi përgatitur gjatë për këtë sfidë dhe besoj se jemi në gjendje të regjistrojmë fitoren e tretë radhazi në shtëpi gjatë fazës së dytë. Skuadra nuk ka luksin për të bërë asnjë gabim, sepse më i vogli do na kushtojë shumë rëndë. Kundërshtarët janë afruar shumë dhe duhet që të mbajmë distancën prej tyre dhe kjo gjë arrihet vetëm duke fituar ndaj Besës. Situata është e komplikuar, prandaj vetëm fitore. Duhet të përmbushim të gjitha detyrat që na ka ngarkuar trajneri dhe t’i zbatojmë ato deri në një”,- pohoi Jakupi.
Duke u ndalur tek ecuria që ka pasur skuadra gjatë kësaj jave mbrojtësi Jakupi deklaroi se në kampionat Teuta është paraqitur shumë mirë dhe duhet të vijojë të jetë konseguente në progresin e arritur në fushën e lojës.
“Deri më tani jam i kënaqur nga ecuria që ka patur skuadra, por duhet të vijojmë me këto ritme dhe me fitore. Skuadra po kalon momentet e saja më të mira dhe kjo duhet shfrytëzuar. Në prag të kësaj përballje të gjithë besojnë se do të bëjmë një paraqitje dinjitoze dhe do të dalim me tre pikë nga fusha. Deri në këto momente skuadra ka bërë paraqitje të mirë në kampionat, por ne duhet të punojmë më shumë, në mënyrë që të shkojmë sa më larg”,- tha Jakupi.
/m.l. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





