Gjykata e Elbasanit ka mbajtuar ditën e sotme, seancën e ‘blogeres-spiune’ Svetlana Timofeva, gjatë së cilës do të merrej vendimi mbi ekstradimin e saj drejt Rusisë.
Bëhet me dije se kanë qenë autoritetet ruse ata që kanë kërkuar ekstradimin e saj drejt shtetit rus. Por vetë Timofeva sot shprehu dakordësi me rrëzimin e kërkesës së federatës ruse, duke pranuar kështu qëndrimin në Shqipëri.
“Kam bërë kërkesën si azilkërkuese në Shqipëri. Jam dakord të qëndroj në Shqipëri”, tha ajo.
Ndërkohë prokuria ka kërkuar moslejimin e ekstradimit të blogeres drejt Rusisë.
“Federata Ruse ka përjashtuar çdo përgjegjësi të saj që lidhet me KE. Situata e përfshirjes së Rusisë në luftë pamundëson ekstradimin e saj drejt Rusisë. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan i kërkon Gjykatës që të mos lejohet ekstradimi i shtetases ruse drejt Rusisë.
Aktualisht ka edhe një procedimin penal ndaj saj në Republikën e Shqipërisë”, tha prokurori.
Avokatet e cilësuan kërkesën e prokurorisë për mospranimin e kërkesës për lejim ekstradimi të shtetases ruse drejt Rusisë një kërkesë të ligjshme.
Sipas tyre, moslejimi i ekstradimit të saj është i bazuar në Konventën Europiane për të Drejtat e Lirive Themelore të Njeriut.
Seanca për shpalljen e vendimit për ekstradimin e saj u la më 14 prill 2023 në orën 12:15.
Timofeva, 33 vjeçe nga Rusia, u arrestua më 20 gusht të vitit 2022 së bashku me dy shtetas të tjerë, Mikhail Zorin, 23 vjeç nga Rusia dhe Fedir Aplatov nga Ukraina, pasi tentuan të hynin në ambientet e uzinës së armëve në Gramsh dhe hodhën sprej neuro-paralizues ndaj dy ushtarëve që ruanin objektin ushtarak.